Apeli i Speciales ia ul dënimin “Calit” në 15 vjet burgim

- in Lajme

Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ia ka ulur dënimin ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafës nga 22 vjet burgim në 15 vjet burgim.

Paneli i Gjykatës së Apelit ia ka zbutur dënimin Salih Mustafës, duke ia zbritur në 15 vjet burgim nga 22 vjet sa i ishin shqiptuar.

Vendimi është marrë sot.

“Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës shqiptoi dënimet individuale ndaj z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vitesh burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim”, thuhet në njoftim.

“Paneli i Apelit përbëhej nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Paneli nxori vendimin e tij lidhur me përcaktimin e ri të dënimit të z. Mustafa në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores. Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e z. Mustafa për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit”, thuhet tutje në vendim.

Apeli ia kishte ulur dënimin Mustafës nga 26 vjet në 22 vjet burgim. Ndërkohë Mustafa apeloi edhe në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara. Gjykata e anuloi vendimin prej 22 vjetëve burgim dhe e ktheu rastin në rivendosje.

 

 

/Demokracia