Ende nuk dihen shumë detaje rreth takimit të emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Beograd. Ky i fundit para mediave nuk foli shumë rreth diskutimeve, ndërsa emisari nuk u deklarua.
Vuçiq në një konferencë para mediave u shpreh se “gjatë 72 orëve në vazhdim do t’i adresohen publikut”.
Ndërkohë më pas në një postim në rrjetin social Instagram, paralajmëroi “masa rigoroze”.
“Sot patëm biseda të ndara dyorëshe për Kosovën, fillimisht me Miroslav Lajçakun dhe me ambasadorin amerikan, Christopher Hill dhe në 72 orët e ardhshme do t’i drejtohemi publikut…Ne do t’ju përgjigjemi me masa serioze në 72 orët e ardhshme. Serbia është gjithmonë pro dialogut, unë jam gjithmonë i gatshëm.” – shkroi ai.
Në fund të konferencës për media ndërkaq, ai u citua të ketë thënë se “është gati të shkojë në Bruksel sot dhe të flasë me Kurtin”, por se Serbia nuk është gati dhe nuk do të lejojë “persekutimin e popullit serb”.
Lajçak në anën tjetër, nuk foli para mediave dhe ende nuk është deklaruar as në rrjetet sociale.
Çfarë tha emisari në Prishtinë?
Javën e kaluar emisari Lajçak qëndroi në Prishtinë, ku u takua me kryenegociatorin dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Pas përfundimit, ai para mediave deklaroi se Serbia ka tërhequr letrën ku thuhej se nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu, atje që nuk ndihmojnë fare. Por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë.” – u shpreh Lajçak.
Sa i përket takimit të mundshëm në Bruksel, ndërmjetësuesi evropian kishte thënë:
“Jemi marrë vesh për një datë për takim, por nuk dua ta bëj të ditur”.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës pas takimit kishte thënë se diskutimet u përqendruan te “rruga përpara me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit”.
“Ai nënvizoi se Qeveria së Republikës së Kosovës në vazhdimësi është angazhuar si palë konstruktive në dialog. Si e tillë ajo mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit dhe e bindur që nënshkrimi i saj është garanca e duhur dhe nevojshme për zbatimin e plotë nga Serbia dhe llogaridhënien për shkeljet e vazhdueshme prej saj.” – u tha në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit./Demokracia