Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është “lodhur” që të reagojë pas publikimit të një fotografie, në të cilën dëshmohet se ai shoqërohej me serbin Goran Vasiljeviç, i dyshuar nga organet e sigurisë në Kosovë si bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë, e njohur si “BIA”.
Vasiljeviç është i njohur si nacionalist serb dhe i afërm i ish-shefit të Ushtrisë Serbe në kohën e Slobodan Millosheviqit, Nebojsha Pavkoviç dhe po ashtu famëkeqit “Kapetan Dragani”, Dragan Vasiljkoviç, i dënuar për krime lufte, shkruan Demokracia.com.
Përveç mungesës së reagimit, Kurti ka një marrëdhënie të veçantë me serbë të dyshimtë. Jo vetëm në fotografi me serbin e dyshuar si agjent të BIA së Serbisë, por Kurti është kujdësuar për të rehabilituar në Qeverinë e tij një pjestar të ushtrisë serbe.
Fotografia e Kurtit, ulur në një tavolinë së bashku edhe me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç dhe serbin Goran Vasiljeviç është publikuar nga Albanian Post, më 8 shtator 2024.
Ai dyshohet se kishte lidhje me grupin e agjentëve serbë që kishin ardhur në Kosovë për të blerë dëshmitarë, duke iu ofruar atyre shuma të majme parash në këmbim të deklaratave të tyre për trafikim të organeve kinse nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Në një operacion, pasi ishin siguruar prova edhe me video, policia atëherë kishte arrestuar spiunët Igor Juqillad, Millutina Radonoviç dhe Predrak Zhelkoviç. Në një nga fotot e publikuara nga Albanian Post, Vasiljeviç është në anën e djathtë të Dragan Vasiljkoviç, ish-komandant i forcave paramilitare serbe të quajtura “Kninjas”, ndërsa bashkë me ta është edhe ish-shefi i Ushtrisë Serbe, Nebojsha Pavkoviç.
25 MAJ 2023 – KURTI EMËRON PËR ZËVENDËSMINISTËR SERBIN QË KISHTE MARRË PJESË NË LUFTËN E KOSOVËS
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte tronditur opinionin shqiptar kur më 25 maj 2023 mori vendim për të emëruar në Qeverinë e tij, në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Radoica Radomiroviqin, ish-pjestarin e Ushtrisë së Serbisë.
Radomiroviq kishte “qenë pjesë e armatës serbo-jugosllave gjatë kohës së luftës në Kosovë”, por ky fakt nuk kishte përbërë asnjë problem për Kurtin që të nënshkruante vendimin për emërimin e ish-ushtarit serb dhe ta bëntë atë pjesë të kabinetit të tij qeveritar. Madje, edhe pasi lajmi doli në media, Kurti e mbrojti emërimin e tij.
4 KORRIK 2023 – ISH-USHTARI I SERBISË NIKOLLA RADOMIROVIQ, EMËROHET DREJTOR NË LEPOSAVIQ NË KABINETIN E LULZIM HETEMIT TË VETËVENDOJES
Vetëm më shumë se një muaj pasi Radojica Radomiroviq zuri vend në kabinetin e Qeverisë Kurti, djali i tij, Nikolla, e kishtë lënë Ushtrinë e Serbisë ku po shërbente në Rashkë dhe ishte bërë pjesë e kabinetit të kryetarit të ri të Leposaviqit, Lulzim Hetemit të Vetëvendosjes.
Nikolla, që është i biri i Zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim, ish-pjesëtarit të Ushtrisë së Serbisë, Radojica Radomiroviq, ishte përmendur nga kryeministri Kurti gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohej për situatën në veri të vendit, si një nga emrat të cilët i kishin organizuar protestat dhe sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Kryeministri Kurti kurrë deri më tani nuk ka dhënë asnjë sqarim për këto emërime. /Demokracia.com/