Kanë kaluar disa ditë kur Prishtina është tronditur nga të shtëna të shumta me armë zjarri në lagjen “Aktash”, ku ka pasur vrasje dhe plagosje, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk e ka thënë asnjë fjalë.
Ndonëse nga kjo përleshje në mes të dy grupeve ka mbetur i vrarë një i ri dhe pesë të tjerë janë plagosur, Svelça nuk e ka parë të arsyeshme të deklarohet për rastin.
Për rastin në fjalë nuk ka folur as ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhi, derisa është pyetur sot nga gazetarët.
Pas pyetjes së gazetarëve, në një konferencë për media, ajo për rastin e ka fajësuar sistemin e drejtësisë.
E para e drejtësisë ka thënë se është e papranueshme që grupet kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë.
“Në këtë rast ju inkurajoj që të drejtoheni në prokurorinë përkatëse, gjykatën kompetente. Ajo që doja të thosha unë është që për mua është e papranueshme që kriminelë e grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë apo tentojnë të sfidojnë ligjin dhe të konsiderojnë që janë mbi ligjin dhe mbi shtetin. I bëj thirrje secilit institucion që të kryejnë detyrat me përgjegjësi më të lartë, të mos lejojnë kriminelët dhe grupe kriminale që të bëjnë veprime të tilla. Ata duhet të përgjigjen para drejtësisë. Janë rrezikuar edhe qytetarët e pafajshëm. Është tejet e rëndësishme që të mbahen përgjegjës ata të cilët kryejnë detyrat që kanë”, ka thënë Haxhiu.
Heshtjen disa ditore të Qeverisë për rastin që e tronditi Prishtinë e ka kritikuar opozita.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se heshtja e ekzekutivit është për turp.
Në profilin e tij në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se qeveria duhet të merret me këtë çështje.
“Pasiguria në kryeqytet është bërë brenga kryesore për qytetarët e Prishtinës. Mbrëmë, një vrasje e një djali të ri dhe pesë plagosje. Sot, një therrje e një djaloshi në një shkollë fillore. Si more spo ju vjen turp, asnjë reagim apo asnjë qëndrim nga qeveria e Kosovës, që na lodhi me popullizëm e kurr su morën me tema që janë brengë serioze. Apo, aty ku nuk ka votë e popullizëm nuk flisni. A e shihni sa është rritur krimi nën udhëheqjen tuaj. Pak banorë jemi me pas këtë nivel të krimit. Turp!”, ka shkruar Tahiri.
Një ditë më parë, edhe sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, për rastin në fjalë ka kërkuar përgjegjësi nga Xhelal Sveçla dhe Albulena Haxhiu.
“Bandat kriminale kanë marrë zemër. Terror, vrasje, plaçkitje, ikje nga burgjet. Ku është dora e shtetit? Ku është Ministri i Punëve të Brendshme? Ku është Ministrja e Drejtësisë? Kjo është dorëzim. Qeversije e reduktuar në propaganda”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në “Facebook”.
Kritikat e opozitës për Qeverinë Kurti, nuk i kanë pëlqyer deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci.
Ky i fundit ka vlerësuar se opozita nuk mund t`i mbajnë ligjërata për siguri Qeverisë aktuale.
Në profilin e tij në “Facebook”, Bajqinovci ka shkruar se vetëm gjatë vitit 2018 kishte pasur 270 grabitje.
“Kosova vetëm në vitin 2018, ishte shndërruar në një çerdhe të grabitësve me 270 raste të grabitjeve të regjistruara. Disa prej tyre përfunduan tragjikisht, me humbje të jetëve. Prandaj, opozita mos të na mbajë ligjërata për siguri, sepse gjatë qeverisjes së tyre Kosova ishte si një “Teksas” ku sundonte krimi dhe pasiguria. Të mos harrojmë se cilat ishin rezultatet e qeverisjes së tyre në këtë aspekt. Ne mund t’i publikojmë brenda 24 viteve të gjitha statistikat e kriminalitetit dhe e shohim se si keni qeverisë.”, ka shkruar Bajqinovci.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur të dielën mbrëma në Prishtinë. Familjet Capat dhe Sekiraqata u gjuajtën me armë zjarri, duke lënë të vrarë një person dhe të plagosur pesë të tjerë.
Prokuroria e Prishtinës ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur si pasojë e problemeve të mëhershme mes dy familjeve./Demokracia