Sot në Gjykatën Speciale në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, ka dhënë dëshminë e tij, aktivisti i LDK-së, Imer Imeri.
Në dëshminë e tij, ai ka përmendur ish-presidentin, Hashim Thaçi, për të cilin tha se ishte i vetmi që ka kërkuar të zbulohen siç thotë ai ‘vrasjet e LDK-së’.
”I vetmi Hashim Thaçi ka kërku në media që të zbulohen këto raste, vrasjet e LDK-së dhe e ka thirrë prokurorin e përgjithshëm në atë kohë dhe ai u deklaru”.
Këtë ai e tha ndërsa pohoi se për këto çështje kishte pasur takim dhe kishte biseduar me ish-presidentin Thaçi.
”Po, e kam pyet. Tha se nuk e ka ditë. Ka thënë më vjen keq”, tha Imeri, duke e përshkruar kështu një takim “në fund të vitit 2016, në fillim të vitit 2017”.
Ndërsa u përgjigjej pyetjeve të mbrojtëses së viktimave, Maria Radziejowska, ai tha se përveç Thaçit, nuk është kontaktuar nga dikush tjetër nga UÇK-ja për rastin e tij pas luftës.