TABELA | Zbrazja e Kosovës nën qeverisjen e Kurtit, tash mbi 460,490 mijë votues jetojnë jashtë shtetit nga 77,956 mijë sa ishin para vitit 2021

- in Lajme

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e mbajtur të mërkurën paradite, ka nxjerrë në pah të dhëna shqetësuese për zbrazjen e Republikës së Kosovës nga shtetasit e saj gjatë mandatit qeverisës të kryeministrit Albin Kurti dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

Nëse të dhënat e regjistrimit të popullsisë të pubikuara më 12 korrik 2024 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, krahasohen me të dhënat preliminare për numrin e qytetarëve me të drejtë vote për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, tregojnë për diferencën e madhe mes tyre, shkruan Demokracia.com.


Sipas të dhënave të ASK-së për regjistrimin e popullsisë të realizuar në vitin 2024, numri i banorëve rezidentë në Kosovë është 1,586,659, ndërkaq sipas listës preliminare të votuesve për Zgjedhjet e 9 Shkurtit 2025 është 2,047,149. Pra, këto të dhëna tregojnë për një diferencë të madhe, sipas të cilës të paktën 460,490 qytetarë (votues, mbi 18 vjeç) jetojnë jashtë Kosovës.

PARA ARDHJES SË KURTIT NË PUSHTET, NUMRI I VOTUESVE DHE BANORËVE REZIDENTË ISHTE I PËRAFËRT

Para ardhjes në pushtet të kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, dallimi në mes të banorëve rezidentë të të gjitha moshave (edhe atyre që nuk kanë arritur moshën e votimit) në Republikën e Kosovës ishte i përafërt me numrin e shtetasve/votuesve mbi 18 vjeç në Kosovë dhe jashtë saj.

REGJISTRIMI 2011 VS. ZGJEDHJET 2014

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, pra ku përfshihen banorët rezidentë të të gjitha moshave (edhe atyre që nuk kanë arritur moshën e votimit) dhe sipas vlerësimit të popullsisë për katër komunat veriore të Kosovës, numri i banorëve ishte 1,780,021 banorë, kurse sipas të dhënave të listës votuese të çertifikuar nga KQZ në zgjedhjet paralamentare 2014 numri i shtetasve apo votuesve mbi 18 vjeç në Kosovë dhe jashtë saj ishte 1,799,023 votues. Pra, diferenca ishte vetëm 19 mijë votues.

VLERËSIMI I POPULLSISË 2021 VS. ZGJEDHJET 2021

Sipas vlerësimit të numrit të popullsisë të vitit 2021, pra ku përfshihen banorët rezidentë të të gjitha moshave (edhe atyre që nuk kanë arritur moshën e votimit) numri i banorëve në vitin 2021 në Kosovë ishte 1,773,971, kurse sipas të dhënave të listës votuese të çertifikuar nga KQZ në zgjedhjet paralamentare 2021, të cilat i fitoi Kurti dhe Vetëvendosje (50.02%), numri i shtetasve apo votuesve mbi 18 vjeç në Kosovë dhe jashtë saj ishte 1,851,927 votues. Pra, diferenca ishte vetëm 77,956 votues.

REGJISTRIMI 2024 VS. ZGJEDHJET 2025

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, pra ku përfshihen banorët rezidentë të të gjitha moshave (edhe atyre që nuk kanë arritur moshën e votimit) dhe sipas vlerësimit të popullsisë për katër komunat veriore të Kosovës, numri i banorëve është 1,586,659 banorë, kurse sipas të dhënave të listës votuese të çertifikuar nga KQZ në zgjedhjet paralamentare 2014 numri i shtetasve apo votuesve mbi 18 vjeç në Kosovë dhe jashtë saj është 2,047,149 votues. Pra, diferenca është 460,490 qytetarë.

TALLJA E KURTIT DHE VARTËSVE TË TIJ ME ZBRAZJEN E KOSOVËS

Deri më tani, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Kurti nuk e ka trajtuar me seriozitet shqetësimin e madh të viteve të fundit për zbrazjen e Kosovës. Në të gjitha rastet, kryeministri Kurti dhe vartësit e tij janë tallur me lajmet dhe arsyet për të cilat qytetarët po braktisin Kosovën. /Demokracia.com/