Procesi gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së po shkon drejt fundit. Ai pritet të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm, përkatësisht edhe rreth 7-8 muaj.
Megjithatë, sa më shumë që po i afrohemi fundit të këtij procesi, propaganda kundër ish-krerëve të UÇK-së vetëm sa po rritet.
Këto ditë është shpërndarë edhe një Fake News në TikTok, ndaj të cilit kanë reaguar edhe gazetarë të njohur.
Megjithatë, ish-presidenti Hashim Thaçi sot e ka pasur për vizitë djalin e tij, Endritin, si vëllain Idrizin.
I kontaktuar nga Demokracia.com, Idriz Thaçi, vëllai i ish-presidentit Thaçi, ka treguar që sapo ka dalë nga takimi, ku ka qenë së bashku me Endritin.
“Procesi po shkon drejt fundit. Presim edhe 7-8 muaj të përfundojë në tërësi. Është mirë me shëndet. Janë bashkë dhe e kanë edhe njëri-tjetrin aty. Janë të pathyeshëm dhe krenarë për luftën e drejtë për liri”, ka thënë vëllai i Thaçit, i bindur që në fillim të vitit përfundon ky proces gjyqësor.
Edhe rreth dy muaj bëhen katër vjet prej kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë për t’u përballur me një aktakuzë për krime lufte, e cila është në Kosovë është parë vazhdimisht si e konstruktuar politikisht. Procesi gjyqësor është zvarritur vazhdimisht dhe është cilësuar si jotransparent për shkak të shumicës së seancave të mbyllura për publikun./Demokracia