Hamza bëhet lideri i parë nga Ballkani që e takon emisarin e Amerikës: Të fokusohemi në rezultate konkrete

- in Lajme

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, është bërë lideri i parë nga Ballkani që e ka takuar emisarin e ri të Amerikës për Ballkan, Alexander Kasanof.

Lajmin e ka bërë të ditur Hamza në rrjete sociale, raporton Nacionale.

Ai ka bërë të ditur se në takim janë diskutuar situatat e fundit, dhe e ka prezantuar planin e tij qeverisës.

Postimi:

Pata takim të rëndësishëm dhe të ngrohtë në State Department, me udhëheqësin e ri të diplomacisë amerikane në Ballkan, z. Alexander Kasanof. Jam tejet i nderuar që jam lideri i parë nga Ballkani që po e takoj z. Kasanof, prej kur ka ardhur në detyrën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit për Ballkanin Perëndimor. Eksperienca unike e tij e bëri shumë të dobishëm diskutimin e sfidave në peizazhin e ri gjeopolitik botëror. Në takim ishte edhe Drejtoresha për Evropën Juglindore, znj. Colleen Hyland, e cila ka shërbyer në ambasadën amerikane në Kosovë dhe është një mbështetëse e madhe e jona.

Në këtë takim tepër të rëndësishëm dhe përmbajtësor, z. Kasanof e urova edhe për postin e ri. Ne u pajtuam për nevojën thelbësore për bashkëpunim, koordinim dhe parashikueshmëri në marrëdhëniet tona me SHBA-në, ndërsa unë e prezantova planin e qeverisjes sime të fokusuar në zhvillim të hovshëm ekonomik, me investime strategjike, me rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimin në NATO, ku mbështetja e SHBA-së do të jetë përcaktuese.

Kemi shumë punë për të bërë dhe kemi humbur shumë kohë, por jam më i bindur se kurrë se në Amerikë i kemi shtyllat kryesore të përkrahjes dhe mbrojtjes. Takimin e përfundova me optimizëm që konfuzioni politik i qeverisjes në Kosovë dhe gabimet e njëpasnjëshme medoemos do të revidohen, që të fokusohemi në rezultatet konkrete për qytetarët tanë dhe jo në krijim të dramave që nuk sjellin asgjë, pos izolim dhe injorim.

/Demokracia