Qeveria “e paftë” t’i investojë mbi 800 milionë euro – lavdërohet me 10 milionë fitime nga BQK-ja

- in Lajme

Ministri i Financave, Hekuran Murati, është lavdëruar se Banka Qendrore e Kosovës ka transferuar në llogari të Qeverisë shumën prej 10.38 milionë euro në kuadër të ndarjes së fitimit vjetor, ashtu siç parashihet në ligjin për BQK-në, por Qeveria vazhdimisht është kritikuar për mungesë të investimeve kapitale.

Madje raporti nëntëmujor që është publikuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transferve, konkretisht për periudhën mujore janar-shtator 2023, e dëshmon që ka pasur mungesë drastike të investimeve duke realizuar vetëm një pjesë të vogël të buxhetit të përgjithshëm.

Disa ministrit del të mos kenë shpenzuar asnjë cent për investime kapitale, duke realizuar buxhetin e paraparë vetëm 0 për qind.

Siç thuhet në këtë raport, përkatësisht tek fusha e investimeve kapitale, buxheti i përgjithshëm për investime kapitale për vitin 2023 është 896.44 milionë euro, ku prej tyre, pra deri më 30 shtator të këtij viti, janë shpenzuar vetëm 263.78 milionë euro, apo 29 për qind e vlerës totale të parashikuar.

Ndërkaq ish-ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka reaguar duke thënë se deklarata e Muratit për fitimin nga BQK-ja është “një marrëzi e plotë”.

“Ministri i Financave i Kosovës është krenar që Banka Qendrore ka realizuar 10 milionë euro fitim ‘për herë të parë ndonjëherë’ me qeverinë. Arsyeja e vetme që ka fitime është se qeveria ka qenë e paaftë për të investuar 800 milionë euro në investime kapitale, kështu që paratë janë ngecur në BQ-në duke mbledhur interes minimal”, shkroi ai në platformën X.

Edhe anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, e ka cilësuar si bizare dhe orenduese deklarimin e Muratit.

“krijon ‘fitim’, kur i mban mbi 700 milionë euro të bllokuara, para të taksapaguesve në llogaritë e BQK-së. Duke i mbajt këto para të bllokuara, ne kemi më pak infrastrukturë të duhur, nuk  e kemi asnjë projekt më ndikim në ekonomi, nuk kemi fond të sigurimeve shëndetësore, s’kemi më shumë çerdhe, nuk kemi teknologji të reja dhe digjitalizim”, shkroi Rukiqi në Facebook.

Tutje ai ka theksuar se Kosova financiarisht është e sanksionuar dyfish, “nga Qeveria dhe nga Bashkimi Evropian”.

“Me i mbajt peng mjetet e taksapaguesve, përveç që është amatorizëm, është edhe krim”, ka potencuar ai./Demokracia