Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se janë duke punuar intensivisht për ta identifikuar nëse vrasësi i policit në Loznicë është personi të cilit iu gjetën dokumentet, Artan Hajrizi apo vëllai i tij Fatoni, i cili u arratis nga burgu i Smrekonicës të Vushtrrisë më 6 korrik.
Por ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që mund të jetë edhe identitet i rremë.
“Po përcaktojmë nëse vrasësi është personi të cilit i kemi gjetur dokumentet apo është vëllai i tij. Ka mundësi që të jetë një identitet i rremë”, ka thënë Daçiq për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS).
Të enjten rreth orës 00:55 një polic u vra dhe një tjetër u plagos rëndë në Loznicë të Serbisë dhe i dyshuari kryesor është një kosovar, sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë. I dyshuari për vrasjen kishte qenë në një taksi në momentin kur u ndalua për kontroll rutinor. Më pas, sipas mediave në Serbi, ai ka shtënë drejt policëve. Shoferi i taksit është ndaluar për 48 orë, ndërsa për të dyshuarin vijojnë ende kërkimet.
Daçiqi ka ngre dyshimet se vrasja e policit serb mund të jetë sulm terrorist i përgatitur “nga strukturat e Kosovës”.
“Ky nuk mund të jetë aksident dhe me të do të merret prokuroria për krim të organizuar, sepse policët janë sulmuar në krye të detyrës”, ka thënë Daçiq.
Ministri i Brendshëm i Serbisë ka thënë se i dyshuari është i pajisur me armë dhe për kapjen e tij janë angazhuar mbi 150 pjesëtarë të policisë.
Ministria e Brendshme e Serbisë më herët publikoi foton e Artan Hajrizit, të cilit iu gjet pasaporta dhe një dokument identifikimi gjerman në vendngjarje.
Ministria e Brendshme e Serbisë e ka publikuar foton e të dyshuarit Artan Hajrizi./Demokracia