Në një kohë kur tensionet midis Kosovës e Serbisë janë ende të larta, me veprimet e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Arben Vitia, ky institucion ka vendosur të bëjnë tregti më një kompani atje. Pavarësisht situatës politike të ndjeshme, ministria ka vendosur të vazhdojë furnizimin me ilaçe të prodhuara në Serbi, duke ngritur pikëpyetje mbi implikimet ekonomike dhe morale të këtyre vendimeve. Demokracia.com sjell detajet e kontratave të fundit.
Ministria e Shëndetësisë, që drejtohet nga Arben Vitia, ka nisur prej disa muajsh realizimin e tenderit për furnizim me barna nga lista esenciale. Në këtë tender është paraparë lidhja e një sërë kontratash. Tashmë janë lidhur kontratat e para.
Vetëm pak ditë pasi Ministria e Shëndetësisë dhe kompania “Exclusive Corporation” kanë lidhur kontratë për lotin 8 për tenderin “Furnizim me Tramadol”, i cili do të importohet nga Serbia, kjo kompani përsëri do të importojë nga fqinja veriore ilaçet natrium laktat, të cilat janë një komponent për trajtimin dhe menaxhimin e shumë gjendjeve mjekësore që kërkojnë rikthimin e balancës së lëngjeve dhe elektrolitëve në trup.
Loti 18 është lidhur me “Exclusive Corporation shpk” për furnizim me natrium laktat, compound – vëllimi 500 ml tretës injektues. Sasia për 24 muaj është 127,920 njësi. Çmimi për njësi është 0.70 cent. Çmimi total është 89,544.00 euro. Prodhuesi, siç shihet në kontratë, është kompania “Hemofarm” nga Serbia.
“Exclusive Corporation” është një kompani që vitet e fundit ka qenë shumë prezente në kontratat me shtetin e Kosovës. Ndërkohë që e njëjta ka vendosur të importojë këto lloje ilaçesh nga Serbia, Ministria e Shëndetësisë ka lidhur edhe disa kontrata me kompani të tjera, por produktet do të importohen nga India, Turqia, Italia, Kosova, etj.
Më poshtë mund të shihen disa prej kontratave. /Demokracia.com/
/Demokracia