Ish-sekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, në një bisedë për Albanian Post e ka cilësuar si të “pasaktë” pretendimin e kryeministrit Albin Kurti, kinse me Ligjin për Amnistinë i cili është votuar në vitin 2013 në Kuvendin e Kosovës nga 2/3 e deputetëve “janë amnistuar krimet serbe në Kosovë”, derisa për miratimin e këtij ligji, Kurti fajin ua ka faturuar partive opozitare.
“Referuar dispozitave të Ligjit për Amnisti ku theksohen veprat që amnistohen, si dhe nenit 4 Përjashtimet nga Amnistia, si dhe Qarkores së Gjykatës Supreme e ku e përbashkëta e tyre është se amnistia nga cilado vepër penale e përmendur në ligj nuk do të aplikohet për veprat penale që kanë rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose me vdekje, ku krimet e luftës rezultojnë me këto pasoja, andaj një pretendim se krimet e luftës janë amnistuar është i pasaktë”, tha Bajraktari.
Për Bajraktarin, i cili tani ushtron profesionin e avokatit, amnistia mund të përkufizohet si përjashtim i kryesve të shkeljeve të ligjit, përkatësisht kryesve të veprave penale nga ndjekja penale, hetimi, por edhe vuajtja e dënimit.
“Sikurse e thekson edhe Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin e saj me nr. KO108/13, në pikën 92, ndër të tjera thekson se motivet për nxjerrjen e një ligji për amnisti janë të ndryshme, por në përgjithësi ligjet për amnisti nxirren për shembull gjatë konfliktit për t’i dhënë fund dhunës, si pjesë e një marrëveshjes paqësore, në mënyrë që të promovohet pajtimi mes palëve të përfshira”, ka shpjeguar ai.