AAK-ja do ta dërgojë në Kushtetuese statutin e ri të UP-së, Dreshaj: Ka shumë lëshime

- in Lajme

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Statutin e ri të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ai tha se me këtë po e synojnë kapjen e shtetit në të gjitha nivelet, ndërsa ka adresuar edhe kritika për përmbajtjen e statutit.

Këto deklarata ai i bëri në një konferencë për media.

Fjalimi i plotë i tij:

E para, Statuti i UP është akt i përgjithshëm që afekton liritë dhe të drejtat e njeriut dhe duhet të dalë në diskutim publik. Nuk ka dalë kurrë. Krejt klandestin është. Kjo shkel parimet kushtetuese të barazisë, mosdiskriminimit dhe pjesëmarrjes së qytetarit në caktimin e politikave publike.

E dyta, Statuti dhe çdo akt juridik duhet të skenohet nga Komisioni Statutar i UP, gjë që nuk është bërë. Këto janë sa për procedurë.

Si përmbajtje, ka shumë lëshime.

E para, dinjiteti njeriut me Kushtetutën e Kosovës është definues i krejt lirive dhe të drejtave të tjera. Me Statut parashihet mirëmbajtja e titullit akademik, dmth profesorët duhet tërë jetën të jenë në ankth për botime të caktuara. Standard universitar është që kur profesorët fitojnë “tenure”, (mandatin) apo vendimin e përhershëm, ata më vetëm mbajnë mësim dhe botojnë çka të duan. Kjo dispozitë prek sigurinë juridike dhe dinjitetin e profesorit universitar. Kjo dispozitë ka për qëllim kapjen e profesoratit dhe shantazhimin e tyre me lojalitet politik, nëse duan të mbesin në punë.

Edhe në Harvard e Kembrixh kur ke “tenure” supozohet që ke mbërri majat e dija dhe mbetesh i respektuar. Këtu synohet që krejt profesorët e rregullt me “tenure” të rivlerësohen nga e para ose të largohen nga sistemi.

E dyta, Statuti nuk ka dispozita kalimtare, që kurrë nuk guxon të jetë praktikë në një akt të përgjithshëm juridik.

E treta, rrugët për avancim akademik caktohen me Statut por jo edhe kriteret materiale për verifikim të cilësisë, të cilat duhen të përcaktohen me ligj.

Ligji i Kosovës për Arsimin e Lartë nuk e bën këtë dhe nuk autorizon statutet e njësive akademike për një gjë të tillë. Me ligj i kanë të rregulluara krejt vendet ish komuniste, pa përjashtim.

Pa ligj prishet siguria juridike dhe kjo është uzurpim i funksioneve ligjvënëse nga UP. Kushtetuta në nenin 55 qartë thotë se pa autorizim ligjor nuk mund të ketë kufizime ose modifikime të lirive dhe të drejtave të njeriut./Demokracia