Vala e të nxehtit pritet ta mbajë Ballkanin deri në fund të korrikut, ditën mbi 40°C, natën deri në 30 °C

- in Lajme

Faqja “climatebook.gr” e cila merret me publikimin e të dhënave meteorologjike, ka paralajmëruar një valë të fortë dhe të zgjatur të të nxehtit që prek Evropën Lindore dhe Ballkanin. Sipas këtij raportimi, temperature pritet të arrijnë dhe kalojnë 40-42 gradë celsius.

Temperatura maksimale për 7 ditët e ardhshme në shumë zona të Ballkanit dhe në Greqi pritet të kalojnë 42-44°C, apo rreth 10-12 gradë më shumë krahasuar me periudhën 1991-2020.

“Përveç temperaturave shumë të larta maksimale në mesditë, temperaturat e larta pritet të qëndrojnë edhe gjatë natës, ku në shumë zona dhe veçanërisht në qendrat e mëdha urbane temperatura nuk pritet të bjerë nën 28-30°C”, shkruan“climatebook.gr”

Parashikim të tillë ka dhënë edhe meteorologu kosovar, Mendim Rugova. Ai në një bisedë për Associated Press ka thënë se në rajon mund të regjistrohen edhe temperatura mbi 40 gradë celsius.

“Në rajon mund të shohim temperatura mbi 40 C, në pjesë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, në Greqi dhe gjithashtu në pjesë të Serbisë,” parashikon Rugova.

Ai ka thënë se vala e të nxehtit pritet të vazhdojë deri në fund të korrikut./Demokracia