Zyrapi: Policia Ushtarake nëpër zona e brigada ka qenë nën urdhrat e komandantëve të tyre, jo të Limajt

- in Lajme

Deshmitari Bislim Zyrapi duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Rexhep Selimit përmes avokatit Geoffrey Roberts tha se Policia Ushtarake e zonave dhe brigadave kanë qenë nën urdhrat e komandantëve të tyre, por që Fatmir Limaj si drejtor i kësaj drejtorie nuk ka mundur të iu jep urdhra.

Fillimisht, Roberts pyeti dëshmitarin se a është e vërtetë se Limaj si drejtor i Policisë Ushtarake nuk është lejuar që të nxjerrë ose lëshojë urdhra për njësitë e niveleve më të ulëta, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Pra z. Limaj si drejtor i Drejtorisë së Policisë Ushtarake nuk është lejuar që të nxjerrë ose të lëshojë urdhra për njësitet e policisë në nivel zonave ose brigade në mënyrë të drejtpërdrejtë. A është e saktë kjo dëshmitar?”, tha Roberts.

Pas kësaj, dëshmitari u përgjigj që Limaj ka pasur mundësi që t’i thërras këta pjesëtarë vetëm për trajnime dhe udhëzime.

“E saktë, se Policia Ushtarake nëpër zona ose në brigada kanë qenë nën urdhrat e komandantëve të zonave dhe brigadave. Z.Limaj ka mujtë me i thirr veç për trajnime, për ushtrime për këto njësi por jo edhe t’i jep urdhër”, tha Zyrapi.

Dëshmitari pohoi se roli i Limajt ka qenë më shumë administrativ, politik dhe të merret me zhvillimin e tyre.

Sipas Roberts në përgjigje për ZPS-në dëshmitari kishte thënë se roli i policisë ushtarake ishte të ofronte siguri për Shtabin e Përgjithshëm dhe të shoqëronte anëtarët e saj

“Për policinë ushtarake që ka qenë pranë Shtabit të Përgjithshëm, drejtoria e ka pas detyrën që të zhvillojë politikat edhe trajnimet dhe të ofrojë sa më mirë njohuritë të policisë ushtarake në atë kohë”, tha Zyrapi.

Më pas, Roberts ia prezantoi dëshmitarit një deklaratë të cilën supozohet që e kishte dhënë ai në 2016 në prokurorinë e Kosovës

“Drejtoria e Policisë ushtarake është formuar nga fundi i nëntorit ose fillimi i dhjetorit të 98-ës. Kjo polici ka pas për detyre trajnimin e policisë ushtarake dhe të mbikëqyrte zhvillimet e saj”, citoi Roberts përgjigjen e dëshmitarit të dhënë për prokurorinë.

Pas kësaj, dëshmitarit iu prezantua një pjesë e një gazetë që sipas Roberts ishte kumtesë e Drejtorisë së Policisë Ushtarake dhe sipas Roberts titulli ishte “U arrestuan nga Policia Ushtarake dy funksionar të LDK-së”.

“Së pari; me datë 5 nëntor 1998, Drejtoria e Policisë Ushtarake të UÇK-së nuk ka ekzistuar. Nuk e kam parë këtë komunikatë në gazetë. Nuk e di se kush e ka botuar këtë komunikatë””, citoi Roberts atë se çfarë dëshmitari kishte thënë për Prokurorinë në Kosovë.

Për këtë, dëshmitari pohoi se i kujtohet se e ka thënë një gjë të tillë dhe se i qëndron këtij qëndrimi.

Sipas Roberts, në atë dokument thuhej që personat janë ndaluar në ‘Burgun hetimor numër 3”, por që përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua.

Pas kësaj, Roberts e tregoi një dokument që e quajti ‘Kumtesa numër 3’, e cila kishte të bënte me një rast që supozohet që ka ndodhur me 18 tetor të 1998-ës dhe që është lëshuar nga drejtoria e policisë ushtarake të Kosovës.

Gjithashtu, Roberts citoi sërish pjesë të dëshmisë që dëshmitari kishte dhënë para autoriteteve të drejtësisë lidhur me strukturën e raportimit të Policisë Ushtarake.

“Përgjigje: Me sa di unë, sipas strukturës Policia Ushtarake e zonës ka raportuar para komandantit të zonës. Pyetje; komandanti i zonës a i ka raportuar drejtorisë së Policisë ushtarake. Përgjigja që keni dhënë ju është; Jo, nuk i ka raportuar. A është e saktë kjo dëshmitar”, tha Roberts e që dëshmitari e pohoi se është e saktë.

Vlen të theksohet se dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument ku përmendej sektori i policisë civile në kuadër të Policisë Ushtarake.

“Jo sa di”, tha dëshmitari për ekzistencën e këtij sektori.

Më pas, tema e fundit që trajtoi Roberts ishte tema e largimit të Blerim Kuçit për në Shqipëri i cili ishte komandant i Brigadës 123 e që lidhur me këtë çështje, dëshmitari kishte thënë se ai ishte larguar nga Kosova pa i thënë askujt.

“Dezertimi në çdo ushtri është vepër penale e rëndë e cila edhe ndëshkohet rënd”, tha Zyrapi tek sa flitej për largimin e Kuçit në Shqipëri dhe pretendimeve për dezertim.

Më pas, me pyetjet për dëshmitarin vazhdoi mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokates, Venkateswari Alagendra./Demokracia