DOKUMENT | Paralizohet Posta e Kosovës, IT-të në grevë dhe nuk ofrohet asnjë shërbim

- in Lajme

Nga mëngjesi i ditës së sotme është paralizuar puna në Postën e Kosovës.

Asnjë e-mail nuk mund të dërgohet dhe nuk jepen as shërbime në zyrat postare të Postës së Kosovës.

Kjo ka ndodhur, siç mëson Demokracia.com, pasi që Departamenti  e IT është në grevë për shkak të pakënaqësisë me ristrukturimin politik.

Demokracia.com ka siguruar edhe njoftimin që kanë marrë drejtuesit e Postës së Kosovës për këtë grevë.

“Pasi që procesi i ristrukturimit të Postës së Kosovës sa u përket departamenit të IT është bërë pa ndonjë anëtarë të komisionit që ka njohuri dhe përgatitje të bëjë skema organizative sesi duhet të funksionojë IT, si departamenti kyç në funksionimin e kompanisë, kemi bërë kërkesë përmes arkivës me datë 21.06.2024 që të takohen me KE për të biseduar për këtë cështje, kërkesë e cila nuk është hasur në përgjigje as pas dy rikujtimeve të tjera për të njëjtën çështje me anë të e-mailit zyrtar me datë 25.06.2024 dhe 26.06.2024.”, thuhet në kërkesën e siguruar nga Demokracia.com.

Punëtorët e IT në Postën e Kosovës janë shprehur të shqetësuar se ky proces joprofesional do të ndikojë në degradimin e mëtejmë të Postës.

“Tani jemi në fazën që mundësi të vetme për realizimin e kërkesave tona është ta bëjmë përmes grevës, e cila do të fillojë nesër më datë 28.06.2024, në ora 8:00, në zyrat e IT dhe do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave tona të arsyeshme dhe të shpëtohet kompania nga degradimi nëse kalon ky ristrukturim joprofesional sa i përket pjesës së IT. Kërkesa e IT është: Të emërohet një anëtar nga departamenti i IT në komisionin të ristrukturimit që vendos për pjesën e IT.”, thuhet në letrën e punonjësve të IT në Postën e Kosovës. /Demokracia.com/