Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresuar kritika në drejtim të Qeverisë së Kosovës, për keqmenaxhimin e parasë publike.
Deputeti i kësaj partie, Avdullah Hoti, ka thënë të hënën në një tryezë me temën: “Abuzimi me paranë publike nga Qeveria e Kosovës”, se të gjitha të dhënat janë duke u bazuar në vlerësimin e fakteve dhe të dhënave të prezantuara nga vet ekzekutivi.
“Lidhur me tatimin në pronë që ne e kemi adresuar në vazhdimësi, në këtë sall kemi qenë në fillim të vitit të kaluar ku kemi pasur një debat të gjerë për rritjen e tatimit në pronë pa asnjë analizë paraprake edhe në kulmin e inflacionit që ka qenë 2020-2023, qytetarët dhe bizneset gjatë vitit 2023 kanë paguar 33 % me shumë tatime në pronë se sa në vitin paraprak pa asnjë nevojë”, ka thënë Hoti.Sipas tij, një element shtesë në tatim në pronë është vendosja e tatimit progresiv në pronë që është anomali e kundërshtimit politik të financave publike.“Vendosja e këtyre shkallëve do të penalizojë jashtëzakonisht shumë bizneset dhe qytetarët që kanë prona, kryesisht në zonat urbane”, theksoi ai.
Po ashtu, Hoti ka folur edhe për shpenzimet për mallra dhe shërbime, duke thënë se këto janë probleme kryesore bashkë me shpenzimet për investimet kapitale.
“Gjatë vitit kaluar, në fakt komplet gjatë këtij mandati, blerjet për rezerva shtetërore kanë qenë 21 milion euro, këto janë duke u hetuar tashmë dhe nuk ka asnjë evidencë as qytetarët as ne si deputetë a janë ardhë këto mallra që ka paguar buxheti i shtetit që nuk dihet as ku janë as a kanë ardhur”, theksoi deputeti i LDK-së.
Ndërsa deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, ka pasur kritika për mënyrën e shpenzimit të parasë publike. Sipas saj, një pjesë goxha e madhe ka shkuar për subvencione e transfere.
“Qindra miliona euro kanë qenë të destinuara për subvencione dhe transfere por të gjitha këto kanë qenë të fshehur në zëra të ndryshme si kontigjenca dhe gjëra tjera dhe ministri i Financave sa herë që ka pa që ka një percepcion të ulët për qeverinë është ulur në zyre, ka marr një vendim dhe ka shpërnda qindra miliona euro këto për tri vite përfshirë 881 milionë euro”, u shpreh Bajrami.
Kritika ka edhe deputeti tjetër i LDK-së, Armend Zemaj. Sipas tij, vlera e kontratës për barna esenciale është dhënë mbi 300 për qind më shtrenjtë.
“Është e rëndësishme që qytetaret e Kosovës sidomos për sektorin e shëndetësisë që është e faktuar se ne kemi marr informacion që pas hartimit të listës së barnave esenciale, vlera e kontratave për barna që janë krijuar me insistimin e kësaj qeverie është 330 për qind më shtrenjtë se ato vitit paraprak favoret janë vënë për kompani të veçanta”, tha Zemaj.
Po ashtu në këtë tryezë u tha se investimet kapitale kanë qenë në nivelin historikisht me të ulët ndonjëherë, duke rënë në 11 për qind të buxhetit, krahasuar rreth 20% që kanë qenë në qeveritë paraprake./Demokracia