Këtë javë dy seanca në Kuvend, debat për tri vjet të qeverisë Kurti

- in Lajme

Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila ka bërë të ditur pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, se këtë javë do të jenë dy seanca.

Njëra do jetë të enjten me fillim nga ora 10:00 ku do të jetë vazhdimësi nga seanca e fundit, e pastaj ajo e rregullt, si dhe të premten ku do të ketë debat për tri vjet të qeverisë Kurti.

“U dakorduam për dy seanca gjatë kësaj javë. E para të enjten me 23 maj në ora 10:00, në agjendë ka vazhdimësinë e seancës së papërfunduar, seancë e jashtëzakonshme për marrëveshjet ndërkombëtare, dhe ajo e rregullt e cila prap ka votimin e marrëveshjeve tjera ndërkombëtare, përfshirë edhe ato që nuk arritën të përmbyllën javën e kaluar. Ditën e premte seancë me debat për tri vjet qeverisje dhe fillon në ora 11:00 me 24 maj”, tha Kusari-Lila.

Rreth asaj se a do të ketë debat për shpërndarje të Kuvendit, Kusari-Lila tha se s’ka pasur kërkesë zyrtare lidhur me këtë çështje.

“Kërkesë zyrtare për shpërndarje të Kuvendit nuk ka”, tha ajo./Demokracia