SKANDALOZE | Ministria e Albulena Haxhiut i jep fonde OJQ-së që e themeloi këshilltarja e saj Nazlie Bala dhe tani udhëhiqet nga motra e saj (DOKUMENTE)

- in Lajme

Nazlie Bala është këshilltare politike e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Bala, që njihet për afërsinë e madhe me Haxhiun, kishte themeluar një OJQ në vitin 2000 së bashku me motrën e saj, Nazifen, shkruan Demokracia.com.

Në mesin e OJQ-ve që u shpërblyen me mjete financiare nga Ministria e Drejtësisë për fushën e shërbimeve sociale dhe familjare për vitin 2024 ishte edhe OJQ-ja e themeluar prej saj, “Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve – Liria, Gjilan”. Drejtoreshë, respektivisht koordinatore në këtë organizatë vazhdon të jetë motra e Nazlie Balës, Nazifja.

Në ceremoninë e nënshkrimit të ndarjes së fondeve për OJQ-të që u bë para pak ditësh, konkretisht më 14 maj 2024, mori pjesë edhe vetë ministrja Albulena Haxhiu.

 

Demokracia.com ka parë se OJQ-ja është themeluar menjëherë pas luftës dhe themeluese të saj janë Nazife Jonuzi, Nazlie Bala dhe Vjollca Ahmeti-Jonuzi. Që të tria këto e kishin regjistruar organizatën në Ministrinë e Administratës më 28.01.2000.

 

Decidivisht, emri i organizatës është “Association for Protection of Rights of Woman and Child – Liria -Gjilan”. Shkurtesa e OJQ-së është LIRIA – Gjilan. Përfaqësuese i OJQ-së është Nazife Jonuzi, motra e Nazlie Balës. Pozita e saj aty është kordinatore. Themeluese figurojnë Nazife Jonuzi, Nazlie Bala, Vjollca Ahmeti-Jonuzi. Fusha e veprimtarisë është: Zhvillim Social, Shëndetësi, Edukim/Trajnim, Edukim/Trajnim. Ndërsa, si nënaktivitet e ka: Shërbime sociale, Promovim shëndetësor, Zejtari, Matematikë. Statusi e revokuar.

Demokracia.com ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Drejtësisë lidhur me shumën e ndarë të mjeteve financiare veçmas për këtë organizata dhe ka pyetur lidhur me konfliktin interesit, sepse nga i njëjti institucion është shpërblyer me paranë publike një OJQ, e cila ka themeluese këshilltaren e ministres dhe aktualisht drejtoreshë aty është motra e saj.

Ministria e Albulena Haxhiut ende nuk ka kthyer përgjigje, por redaksia do të publikojë përgjigjen e tyre, sapo ta kthejnë atë.

Të njëjtës, në fundvitin e 2023-ës, fonde i dha edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Po ashtu, ajo në vitin e kaluar i ka ndarë edhe një mirënjohje, të cilën e ka pranuar motra e Nazlie Balës, Nazifja.

Mirënjohje dhe falënderime të thurura përplot me lavde, motrës së këshilltares së saj i shprehu edhe vetë ministrja Albulena Haxhiu në dhjetor të vitit të kaluar përmes një letre, që gjithashtu e ka siguruar Demokracia.com.

Një blic vizitë kësaj organizate në prill të këtij viti ia bëri edhe ministrja Donika Gërvalla.

Ministrja Albulena Haxhiu së bashku me këshilltaren e saj e vizitojnë vazhdimisht këtë OJQ, e cila është shumë prezente edhe në tavolinat e aktiviteteve të organizuara nga Ministria e Drejtësisë. /Demokracia.com/