Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka thënë se është çmenduri të ndalohet progresi i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Kur sot mblidhet Komiteti i Ministrave të KiE-së ku Kosova nuk është në agjendë, Knaus ka theksuar se ministrat e jashtëm duhet të caktojnë një datë për takim të jashtëzakonshëm për Kosovën.
“Ministrat e Jashtëm në Strasburg duhet ta caktojnë një datë të re për një takim të jashtëzakonshëm brenda javësh, që të votohet për aplikimin e Kosovës sapo të ecë në çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo do t’i çonte sinjal të qartë Serbisë se shtetësia e Kosovës është e qëndrueshme dhe ruan mbështetjen e plotë të demokracive evropiane”, ka shkruar ai në platformën X.
Knaus e ka quajtur “fatale për ministrat e jashtëm” nëse sot, 17 maj, injorojnë “formulën e Ahtisaarit për paqe, rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka shkruar ai duke shtuar aty edhe propozimin e Qeverisë së Kosovës – për të cilin ka thënë se është shumë i mirë – për çështjen e Asociacionit të lidhur me anëtarësimin në Këshill.
“Dhe të përfundojë në vend të kësaj me: Serbia mund t’i vë veto progresit të Kosovës. Duhet të pajtohet me atë se si Asociacioni do të themelohet, por që nuk do ta bëjë”, ka thënë ai.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, të enjten e ka dorëzuar në Këshillin e Evropës një letër me zotimin se Kosova merr përgjegjësinë që të hartojë dokumentin e formimit të Asociacionit, e që atë ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.
Pas votimit në Asamblenë Parlamentare, Kosovës i është kërkuar dërgimi i draftstatutit të Bashkimit Evropian në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim. Një gjë e tillë ishte kundërshtuar nga kryeministri Albin Kurti duke thënë se procesi i anëtarësimit në KiE nuk duhet të përzihet me atë të dialogut./Demokracia