Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, i ka dërguar një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, duke u zotuar se Kosova do të përgatisë një draft për Asociacionin dhe do ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese.
Megjithatë, emri i Kosovës është i shkruar në dy forma të ndryshme në letrën e Gërvallës.
Në krye të letrës, nën stemën e Kosovës, në gjuhën angleze shkruhet “Republic of Kosovo”, ndërsa më poshtë në letër, kryediplomatja kosovare Kosovës në gjuhën angleze i referohet si “Kosova”, edhe pse komuniteti ndërkombëtar i referohet vazhdimisht si “Kosovo”, term tashmë i ngulitur në gjuhën angleze për vendin tonë.
Ndoshta Qeveria e Kosovës dhe, në këtë rast, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të duhej të vendosnin nëse emri “Kosova” të përdoret në shkresat në gjuhën angleze edhe në krye të dokumenteve, nën stemë, e jo të dallojë në dy forma.
/Demokracia