Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, e sheh si përpjekjen më serioze institucional përgjigjen e Krasniqit ndaj ftesës së Kurtit, se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
“Përgjigjen pozitive të z. Krasniqi ndaj ftesës së Kryeministrit Kurti duhet parë si përpjekjen më serioze institucionale deri më sot, për të vazhduar me konsekuencë atë që tashmë e kemi zyrtarizuar si qasje e politikës partiake, se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe atë sa më parë aq më mirë”, thotë ai.
Abdullahu në një prononcim për Gazeta Blic, thekson se nuk mund të thonë se kjo qeveri po e dëmton Kosovën dhe të qëndrojnë neutral për dërgimin e vendit në zgjedhje.
“Ne themi sa më parë zgjedhje dhe e rikonfirmojmë se oferta jonë për Kryeministër të ardhshëm Bedri Hamza është zgjidhja më e mirë për të ardhmen e afërt të Kosovës. Ne nuk mund të themi në njërën anë se kjo Qeveri nuk bën, se kjo Qeveri po e dëmton Kosovën dhe në anën tjetër të jemi pasiv dhe neutral në atë se si dhe kur mund ta çojmë vendin në zgjedhje. Busull orientuese sot për politikat e PDK-së është fati i vendit tonë, e ardhmja e qytetarëve të Kosovës”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Ai shton se PDK po bën përpjekje që t’i ndalë jo pak rrjedha kruciale jo vetëm politike, që të mos dëmtohen në atë shkallë që s’mund të riparohen më.
“Prandaj po reagojmë shpejtë dhe përmbajtësisht. Edhe në këtë mënyrë sikundër që takimi Krasniqi – Kurti, PDK po bën përpjekje racionale e pragmatike për t’i ndalur sa më parë jo pak rrjedha kruciale jo vetëm politike të cilat janë deformuar shumë, me qëllim që ato të mos dëmtohen deri në atë shkallë sa që të mos mund të riparohen më”, deklaron zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu./Demokracia