Pasi doli nga ‘lista e zezë’ e dyshuar si mashtruese, MPB-ja e angazhon kompaninë të bëjë ekzaminimin e veturave

- in Lajme

Ekziston një ‘listë e zezë’ në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Aty futen kompanitë që pretendohet se janë zënë duke ofruar dëshmi të rrejshme gjatë ofertimit të tyre në proceset e prokurimit ose nuk i kanë ofruar dëshmitë e nevojshme as pas nënshkrimit të kontratës. Pas kërkesave nga ana e institucioneve për të futur një kompani në ‘listën e zezë’, vetëm për dy forma të shkeljes ekziston baza ligjore për sanksionim të shpejtë administrativ, që në rastin e Kosovës është diskualifikimi për pjesëmarrje në tenderim për një kohë të caktuar. Vetëm pak muaj nga dalja e kësaj liste, Ministria e Punëve të Brendshme ka rekomanduar për kontratë një kompani, shkruan Demokracia.com.

Në vend që të nisin hetimet ndaj saj nën dyshimet për të dhëna të rrejshme në prokurimin publik, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), e cila drejtohet nga Xhelal Sveçla, e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Dona Impex”.

“Furnizim me mjete pune për ekzaminimin e armëve dhe veturave”, quhet tenderi për të cilin MPB-ja po synon të lidh dy kontrata.

Vlera e parashikimit të kontratës ka qenë 24 mijë euro.

Tenderi ka qenë i ndarë në dy lote, lot 1 është anuluar në mungesë të ofertave të përgjegjshme, ndërsa për lot 2 është shpërblyer kompania ,,Dona-Impex Sh.p.k.

Nuk është bërë e ditur se për ekzaminimin e armëve të cilit institucion bëhet fjalë apo të veturave.

Kjo kompani për gjashtë muaj, deri në fund të janarit, ka qenë në ‘listën e zezë’ si kompani falsifikatore në prokurimin publik.

OSHP vendimin për kompaninë “Dona Impex” e ka marrë pas ankesës së Ndërmarrjes Publike Banesore Sh.A., e cila ka gjetur se kompania në fjalë për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me profila të hekurit dhe xhami me pajisje përcjellëse” ka prezantuar dokumente të falsifikuara. Më pas OSHP-ja ka marrë vendim konform Ligjit të Prokurimit Publik dhe ka futur në listë të zezë firmën, duke ia pamundësuar pjesëmarrjen në tenderë publikë deri më 25 janar.

“Gjatë administrimit të provave, vlerësimit të tyre, paneli shqyrtues konstatoi se nga kërkesa e AK dhe faktet e vërtetuara në mënyrë të pavarur nga OSHP dhe të shpjeguara si mësipër, konsiderohen prova të mjaftueshme të cilat kanë krijuar bindjen e këtij Paneli se OE “Dona Impex”, Prishtinë, i njëjti ka paraqitur të dhëna që bien në kundërshtim me nenin 99 par 2 të LPP. Në fakt, nga gjetjet në dosjen e tenderit vërehet se veprimet e OE, në kuptimin sesi janë përshkruar ato si mësipër, kanë të bëjnë me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, sikurse parashihet me nenin 99, paragrafi 2, të LPP dhe për këtë arsye, AK ka paraqitur në OSHP, më 22.03. 2022, kërkesë për inicimin e procedurës së diskualifikimit në kuptim të dispozitës së cituar si mësipër.

Paneli Shqyrtues konsideron se në këtë rast se objektivisht lind detyrimi i OSHP, që ta zbatojë dispozitën e cituar si më sipër të LPP, sipas së cilës shprehimisht kërkohet që operatori ekonomik në rastin konkret të diskualifikohet nga pjesëmarrja në këtë aktivitet të prokurimit dhe (sipas gjykimit të pavarur të këtij Paneli) t’i ndalohet e drejta për të marrë pjesë në aktivitetet e prokurimit publik në periudhën kohore prej 6/ muaj, duke filluar nga data 25.07.2023 deri më 25.01.2024”, thuhej në vendimin e OSHP-së, të cilin e ka parë Demokracia.com.

LPP parasheh diskualifikimin (pezullimin) e operatorëve ekonomikë, të cilët paraqesin të dhëna të rreme ose falsifikojnë dokumente për aktivitetet e prokurimit për një periudhë deri në një vit.

Ky diskualifikim bëhet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), me kërkesë të autoriteteve kontraktuese, pa pasur nevojë që pretendimet e ngritura të vërtetohen nga gjykata.

Organizata “Democracy Plus” merret edhe me monitorimin e prokurimit publik në Kosovë.

Ardit Dragusha, monitorues në këtë organizatë, ka thënë ditë më parë për Demokracia.com se “Lista e Zezë” do të duhej të ishte instrument më efikas në luftimin e keqpërdorimeve në prokurimin publik, por që aktualisht nuk është duke u përdorur sa duhet nga ana e institucioneve publike.

“Në shumë raste, institucionet publike nuk po paraqesin kërkesa të tilla, pavarësisht se falsifikimi dhe prezantimi i të dhënave të rrejshme po evidentohet në forma të tjera, e kjo është problematike se vetëm institucioni i cili është në cilësinë e autoritetit kontraktues e ka të drejtën ekskluzive në inicimin e diskualifikimit”, ka thënë Dragusha për Demokracia.com.

Ky instrument ligjor, siç është paraparë në Ligjin e Prokurimit Publik (LPP), sipas tij, i ka disa mangësi e njëra prej tyre është kohëzgjatja maksimale e diskualifikimit, e cila është caktuar 1 vit. Kjo, siç thotë Dragusha, është periudhë relativisht e shkurtër që kjo masë të jetë efektive në luftimin dhe parandalimin e kësaj natyre në prokurim publik.

“Në fakt, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), në shumicën e rasteve nuk vendos për diskualifikim maksimal, teksa edhe baza ligjore për diskualifikim është shumë e ngushtë. Kohëzgjatja e shkurtër po ndikon që kompanitë të mos i frikësohen këtij mekanizimi, duke bërë që të përsëritin këto keqpërdorime, siç e ilustron fakti që aktualisht janë tri (3) kompani që janë futur për herë të dytë në Listën e Zezë”, ka shtuar ai.

Në prokurimin publik po ndodhin standarde të dyfishta lidhur më kompanitë falsifikatore. Jo rrallëherë prokuroria publikon komunikata për të treguar se ka nisur hetimet në ndonjë rast për shkak të falsifikimit të dokumentit zyrtar në ofertimin në ndonjë tender.

“Vetëm fakti që një kompani përfundon në këtë listë, do të duhej të ishte pikënisje e hetimeve nga Prokuroria, pasi shkeljet që të çojnë në “Listën e Zezë” janë të parapara me Kodin Penal si vepra penale. Kjo gjë nuk është se po ndodh, pasi në bazë të një hulumtimi që kemi publikuar, vetëm shtatë (7) raste janë iniciuar penalisht nga 30 kompanitë e diskualifikuara për periudhën janar 2021 – shtator 2023”, shtoi Dragusha. /Demokracia.com/