“Made in Kosova” – Zv.ministrja Liza Gashi denoncohet publikisht për vjedhje

- in Lajme

Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, përmes një letre publike ka denoncuar zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashin, për vjedhje të idesë së “Made in Kosova”.

Panxha, përmes një postimi në ‘Facebook’ thotë se kjo ide ishte e tij dhe e disa personave të tjerë që nga 2015-a. Ai ka përshkruar edhe veprimtarinë e këtij koncepti gjatë viteve.

“Prezantimi i konceptit ‘Made in Kosova’ fillon në vitin 2014 në emsioin ‘7 ditë’ ku unë personalisht kam folur për rendësin e konsumit të prodhimeve vendore dhe i gjithë episodi është quajtur ‘Made in Kosova’. Pastaj me themelimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, unë në cilësinë e Drejtorit Ekzekutivë para Bordit si autor prezantova idenë, konceptin dhe vizionin e ‘Made in Kosova’. Ky koncept u aprovua unanimisht dhe në tetor të vitit 2015 filluam përgatitjet dhe shpallem thirrjen kombëtare për ta dizajnuar logon dhe realizuar fushatën ‘Made in Kosova’. Shumë kompani aplikuan, por në një proces transparent dhe korrekt përzgjodhëm kompaninë Red Mill e cila dizajnoj logon dhe realizoj fushatën e parë ‘Made in Kosova’ në vitin 2016. Në vitin 2018 këtë logo e regjistruam si mark tregtare në emër te Klubit të Prodhuesve të Kosovës. Në vitin 2019 prezantuam edhe platformën ‘Made in Kosova’ të cilën e përkrahi financiarisht BERZHI. Me dhjetëra aktivitete janë bërë me markën tregtare ‘Made in Kosova’. Suksesi i konceptit ‘Made in Kosova’ buron në faktin se asnjëherë nuk është politizuar, asnjëherë nuk është personalizuar dhe asnjëherë nuk është keqpërdorur. ‘Made in Kosova’ është përdorur nga të gjithë dhe për të gjithë!”, ka shkruar ai.

Panxha ka rikujtuar se nesër, zëvendësministrja po planifikon organizimin e një eventi me një koncept që po pretendon se është vjedhur nga ai.

“Me 14 maj te viti 2024, Liza ti po planifikon të organizon një event ku do të prezantosh logon e re ‘Made in Kosova’, platformën dhe vizionin për Made in Kosova. Në ftesë e ke shkruar: ‘ Përmes qasjes gjithëpërfshirëse të komunikimit, MiK-u ka për qëllim të promovojë rininë, kreativitetin dhe potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë në të gjitha fushat, me synimin që ta shndërrojmë atë në një dritare multifunksionale të informacionit dhe të ndërlidhjes.’ Një pyetje shumë e sinqertë është se çka kemi bërë ne që nga viti 2015?”, ka shkruar ai, duke thënë se gjatë atyre viteve janë promovuar figura si Majlinda Kelmendi, Ramë Lahaj e Nexhmie Pagarusha.

Ai ka paralajmëruar se këtë çështje mund ta bëjë edhe lëndë gjyqësore.

“Unë fuqishëm besoj në vullnetin e mirë dhe dëshirën për ti përmirësuar gabimet. Te gjithë gabojmë Liza! Unë besoj që ti do të reflektosh pozitivisht mbi këtë çështje para se fillojmë me proceset gjyqësore! Prandaj në mungese të ideve origjinale Liza, po ta shtri prapë dorën e bashkëpunimit siç ta kam bërë në muajin prill të vitit 2023 për ‘Made in Kosova”, deklaroi ai.

“Për fund Liza, me këto veprime tua edhe Lizën në botën e çudirave e ke çudit”.

/Demokracia