Çmimi i bukës ka shkuar deri në 60 centë në disa furra në Prishtinë dhe në disa komuna të tjera në vend. Për këtë shtrenjtim, ankohen qytetarët, derisa furrtarët arsyetojnë rritjen e çmimeve për produktet e bukës. Por nga Shoqata e Mullisëve vlerësojnë se ky çmim nuk ka pasur nevojë të rritet.
KosovaPress ka siguruar çmimet për gjysmë kilogrami bukë në disa furra në kryeqytet ku shihet se çmimet janë ngritur për 100 për qind në vit, krahasuar vitin 2024 me atë të vitit 2010. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për dhjetë vitet fundit, nga 31 centë sa ishte një bukë gjysmë kilogramësh në vitin 2010, në vitin 2022 ky çmim mesatar ka arrit në 49 centë. ASK nuk ka publikuar çmimet mestarë të bukës për vitin 2023 dhe 2024. Derisa qytetarët kërkojnë nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë të shtojnë numrin e inspektorateve në mënyrë që të monitorojnë çmimet në terren, thonë se vështirë po arrin të ja dalin me këto çmime. Qytetarja, Zarife Sopjani, derisa vlerëson se duhet të lirohet buka, thotë se çdo ditë e më tepër po u rendohet jeta me çmime të larta.
Se çmimi i bukës është shtrenjtë dhe duhet të lirohet e po ashtu të shtohen kontrollet e inspektoratit në furra, e thotë edhe qytetari, Hasan Abazi.
Ai për KosovaPress thekson se duhet të ketë ulje të çmimit të bukës, jo të ketë rritje pa arsye. Edhe një qytetar tjetër, i cili ka dashur të mbes anonim është ankuar për çmimin e bukës.
Se ka rritje të çmimit të bukës në disa furra në vend, e ka pohuar edhe menaxheri i një furre në kryeqytet, Safet Zeneli, i cili ka theksuar se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e rritjes së pagave të punëtorëve. Po ashtu sipas tij, liberalizimi i vizave ka ndikuar që të kenë probleme me mungesë të punëtorëve.
Në anën tjetër, Muhamet Farizi nga Shoqata e Mullisëve ka deklaruar për KosovaPress se çmimi i grurit nuk ka ndonjë lëvizje të madhe, për çfarë thotë se furrtarët nuk kanë pasur arsye të rrisin çmimin e bukës.
Kryetari i organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku derisa thotë se nuk ka arsyeje të rritet çmimi i bukës, shton se me këtë ngritje është duke u varfëruar gjepi i qytetarëve. Ai ka kërkuar nga qeveria që të marrë masa të menjëhershme në këtë drejtim. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës një bukë 500 gramësh nga 31 centë sa ka kushtuar në vitin 2010, në vitin 2011 është rritur në 0.40 centë, në vitin 2012 ka shënuar rënie dhe çmimi ishte 0.39 centë, në vitin 2013 çmimi i bukës ishte 0.37 centë, në vitin 2014 çmimi i bukës ishte 0.36 centë, në vitin 2015 ishte 0.33 centë, rënie të çmimit të bukës pati edhe në vitin 2016, ku një bukë kishte çmimin 0.29 centë. Po ashtu sipas ASK-së në vitin 2017 çmimi i bukës ishte 0.28 centë, në vitin 2018 çmimi i bukës ishte 0.29 centë, në 2019 ishte 0.35 centë, në 2020 po ashtu 0.35 centë, në 2021 çmimi i bukës u rrit në 0.37 centë, ndërsa rritje e çmimit të bukës është shënuar edhe në vitin 2022, ku çmimi i bukës ka shkuar në 0.49 centë. Derisa për vitin 2023 dhe 2024 nuk ka të dhëna për çmimin mesatar të bukës, ndërkaq KosovaPress ka hasur në disa furra me çmimin e bukës deri në 60 centë për këtë vit, për një bukë 500 gramë.