Shkatërruesi i unitetit | Albin Kurti që në vend të unitetit gjuante gaz lotsjellës, kërkon bashkëpunimin e opozitës

- in Lajme

Sa herë që Republikës së Kosovës i është dashur uniteti politik kombëtar, vetëm një person dhe një subjekt politik e kanë prishur atë.

Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që nuk i kanë shërbyer unitetit kombëtar, por përkundrazi, e kanë cenuar atë në çdo rast të mundshëm, shkruan Demokracia.com.

Në vend të unitetit të domosdoshëm për çështje të interesit kombëtar, qeveritë e kaluara janë përballur me dhunën e organizuar nga Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.

Hedhja e gazit lotsjellës për muaj të tërë në seanca të Kuvendit të Kosovës ka pamundësuar funksionimin e Republikës së Kosovës dhe konsolidimin e saj të jashtëm, që është aq i domosdoshëm për një shtet të themeluar vetëm vite më parë.

Dhe jo vetëm nga pozita e opozitarit, por edhe nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, si kryeministër, Albin Kurti vetëm me mbështetjen e dy bashkëdrejtuesve të tjerë shtetërorë, presidentes Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ka ndjekur politikën përplasëse me aleatët e shtetit të Kosovës, ShBA-në dhe shtetet e fuqishme të Bashkimit Evropian.

Raportet gati të ngrira mes Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të politikave të pakoordinuara me qeverinë amerikane, sidomos në çështje të sigurisë dhe sanksionet nga Bashkimi Evropian, janë tregues i një gjendje në të cilën ndodhet Republika e Kosovës.

Adresa e përgjegjësit kryesor të kësaj situate është e ditur: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në një situatë të tillë kur Republikës së Kosovës po i shkatërrohet aleanca, kryeministri Kurti vazhdon të mos shqetësohet.

Madje, sikur të ishte një situatë krejt normale, ai po kërkon bashkëpunimin e opozitës në “përmbushjen e agjendës legjislative”, duke u dërguar letra kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së për takim më 13 maj.

“Unë jam i vetëdijshëm se subjekti juaj opozitar ka rezervat e veta për pjesëmarrje në procesin e votimit në Kuvendin e Republikës, por besoj pozitivisht se kjo nuk e parandalon pjesëmarrjen tuaj dhe diskutimin tonë të përbashkët për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror”, thuhet në letrën që Kurti ia ka dërguar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut.

Të tre kryetarët e partive opozitare, Memli Krasniqi i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, i kanë kthyer përgjigje të shtunën, më 11 maj.

Ndryshe nga Kurti që një ftese të tillë do t’i përgjigjej me gazin lotsjellës, kryetarët e partive opozitare i kanë kthyer përgjigje normale. /Demokracia.com/