Ali Ahmeti i pamposhtur | Mesazhi që Albin Kurti mori nga shqiptarët e Maqedonisë

- in Lajme, Maqedoni

Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, mund të shkelet parimi demokratik i ndërtuar në këtë shtet, se fituesi nga kampi maqedonas bashkëqeverisë me fituesin në kampin shqiptar.

Ky parim mund të marrë fund me miratimin e partive shqiptare opozitare, “Lëvizja Besa” e Bilall Kasamit, “Lëvizja Demokratike” e Izet Mexhitit dhe “Alternativa” e Afrim Gashit, të cilat brenda dy jave pësuan debakël në dy procese zgjedhore, në zgjedhjet presidenciale (24 prill 2024) dhe në zgjedhjet parlamentare (8 maj 2024), shkruan Demokracia.com.

Shkatërrimi i këtij parimi, i cili nuk përjashton që edhe partitë e tjera t’i bashkoheshin këtij koalicioni, do të hedh themelet për fillimin e defaktorizimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Fatkeqësisht, në mbështetje të idesë që Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetit të çohet në opozitë pavarësisht rezultatit, qëndron edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti, i cili në mënyrë të paprecedent është përzier në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, duke përçarë spektrin politik shqiptar në dy kampe, vazhdon të mbështesë opozitën shqiptare atje.

ALI AHMETI I PAMPOSHTUR

Edhe përkundër faktit se shteti i Kosovës me kryeministrin Kurti ishte në anën e kundërt të tij, votimi i 8 majit në zgjedhjet për Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm për partinë e Ali Ahmetit, Bashkimin Demokratik për Integrim.

Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, BDI ka arritur të fitojë 19 deputetë, duke dalë parti e dytë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pas VMRO-DPMNE (58 deputetë) dhe duke lënë pas vetes partinë maqedonase LSDM-në (18 deputetë) dhe koalicionin e partive opozitare shqiptare, VLEN (13 deputetë).

Ky rezultat i Ahmetit është dëshmi e qartë për mbështetjen popullore që Ahmeti dhe BDI gëzojnë në radhët e votuesve shqiptarë. /Demokracia.com/

Kurti ka pritur në disa raste në zyrën e tij drejtuesit e koalicionit VLEN, që përbëhet nga partitë “Lëvizja Vetëvendosje” e përfaqësuar nga Këshilltari i Kurtit për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, “Lëvizja Besa” e Bilall Kasamit, “Lëvizja Demokratike” e Izet Mexhitit dhe “Alternativa” e Afrim Gashit. /Demokracia.com/