Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se Qeveria Kurti është fajtore për kushtëzimin e anëtarësimi të Kosovës në Këshill të Evropës.
Ajo ka treguar se ky kushtëzim ka ardhur pasi aleatët e Kosovës e kanë humbur besimin në Qeverinë Kurti.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Çitaku ka thënë se zotimi i tre krerëve institucionalë në letrën drejtuar KiE-së për formim të Asociacionit ka legjitimuar kërkesën e aleatëve për t`i vendosur kushte Kosovës në rrugën e saj drejt KiE-së.
“Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KE, me çështjen e Asociacionit është kryekëput rezultat i humbjes së besimit të aleatëve tanë në lidershipin e krerëve të institucioneve të Kosovës. Letra e dërguar nga Osmani, Konjufca dhe Kurti, dhe zotimi i dhënë aty për themelimin e Asociacionit, e legjitimoi kërkesën e aleatëve tanë”, ka thënë Çitaku.
Sipas saj, tani aleatët nuk i besojnë më Qeverisë së Kosovës.
“Tani, problemi është që aleatët nuk po iu besojnë me zotimeve të Kurtit&co. Po kërkojnë veprime konkrete. Kurtit po i kërkohet të veprojë në zotimet që i ka dhënë vet. Kjo dëshmon një paaftësi flagrante të lidershipit të Kosovës për të lexuar dhe kuptuar qartë dhe drejtë mesazhet dhe komunikimin diplomatik”, është shprehur Çitaku./Demokracia