Gabriel Escobar | Diplomati amerikan që alarmoi se Albin Kurti po rrënon raportet Kosovë – ShBA

- in Lajme

Emri i diplomatit amerikan, Gabriel Escobar, që shërbeu për disa vite si i dërguari i posaçëm  i presidentit amerikan, Joe Biden, për Ballkanin Perëndimor, do të mbahet mend për komunikimin e drejtpërdrejtë dhe pa nënkuptime.

Si asnjë diplomat tjetër amerikan, Escobar u ka treguar qytetarëve të Kosovës për problemet e mëdha në raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Në qendër të alarmeve të Escobarit ishin marrëdhëniet e cënuara për shkak të politikave të pakoordinuara të kryeministrit Kurti, sidomos në çështje që mund të ndikojnë në sigurinë e përgjithshme të Kosovës, por edhe më gjerë.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar zyrtarisht se Escobar së shpejti do të marrë një detyrë tjetër, ashtu si të gjithë zyrtarët e karrierës që janë pjesë e Shërbimit të Jashtëm do të ndërrojë detyrën e tij me rotacion, çdo katër vjet, si praktikë e rregullt.

Ndonëse Escobar po largohet nga roli i tij aktiv sidomos në dialogun Kosovë – Serbi, ai do të mbahet mend gjatë për paralajmërimet e rënda që bëri dhe për rrezikun e madh në të cilin kanë hyrë marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë – ShBA, për shkak të kryeministrit Albin Kurti.

QERSHOR 2023 – ESCOBAR: S’KEMI PSE QËNDROJMË ME NJË INDIVID QË S’DO TË BASHKËPUNOJË

Më 6 qershor 2023, diplomati amerikan, Escobar, kishte folur si kurrë më parë dhe kishte treguar për problemet e mëdha ndërmjet Qeverisë së ShBA-ve dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Shkak ishte bërë vendimi i Kurtit për të dërguar në zyret e tyre komunale kryetarët shqiptarë të zgjedhur më 23 prill 2023 në komunat veriore të Kosovës. Ky vendim kishte tensionuar situatën në atë pjesë, duke shkaktuar edhe trazira që zgjatën disa ditë.

Kërkesa amerikane ishte e qartë për institucionet kosovare, që kryetarët ta kryenin detyrën e tyre edhe nga zyre të tjera.

“Ne thjesht po thoshim mos ta ndiznim situatën, edhe ashtu delikate dhe ishte një insistim kundër të shkuarit me çdo lloj force për kryetarët në ndërtesa. Kam qenë në qeverinë e ShBA-ve prejse jam 19 vjeçar, kam parë në SHBA duke u lënë ndërtesat qeveritare për 100 arsye, madje edhe për shkak të protestave, por kurrë askush nuk e vë në pikëpyetje legjitimitetin dhe autoritetin e qeverisë amerikane. Pse këto ndërtesa, pse në këto kushte, pse pasi ua kërkuam koordinimin, pse pasi qëndruam pas tyre nuk u koordinuan, kjo do të thotë diçka për ne se si na shohin ne si partnerë, dhe kjo do ketë konsekuenca”, tregonte Escobar.

Megjithkëtë, kërkesa amerikane nuk ishte përfillur nga kryeministri Kurti, pasi dy kryetarët e komunave veriore, ai i Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut ishin dërguar me njësi speciale në ndërtesat komunale.

“Po shohim zgjedhjet që po bëhen (nga qeveria e Kosovës) përkundër partneritet tonë, dhe kjo është sinjal për ne. Ne qëndrojmë me njerëzit e Kosovës, por s’kemi pse qëndrojmë me një individ që s’do të bashkëpunojë. Jemi krejtësisht konfuzë se pse ndodhi kjo? Pse kjo mungesë koordinimi, pse kjo mungesë vizioni dhe fleksibiliteti dhe pse kundër që të lëvizet përpara”, alarmonte Esobar.

MARS 2024 – ESCOBAR ZBULON SE JO VEÇ ME ShBA, POR KURTI KA PROBLEME EDHE ME BE, NATO, BRITANINË E MADHE, SHQIPËRINË E MAQEDONINË E VERIUT

Në mars të vitit 2024, diplomati amerikan bëri paralajmërimin tjetër, gjithashtu të rëndë për Kosovës, sipas të cilit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka probleme komunikimi jo vetëm me ShBA-të, por edhe me Bashkimin Evropian, NATO-n, Britaninë e Madhe, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo është një listë e gjatë për një shtet të vogël si Kosova, që zhvillimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar e ka të ndërlidhur me kualitetin e marrëdhënieve me fqinjët e saj, por edhe me aleatët perëndimorë që mbështetën Kosovën në luftën për liri dhe në themelimin e shtetit.

“Këtë problem Kosova e ka edhe me BE-në, me NATO-n, me Britaninë e Madhe. Edhe me partnerë të tjerë, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kemi pasur një partneritet shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën, ne duam ta kemi këtë lidhje edhe tani siç ishte në të kaluarën”, deklaronte Escobar.

Escobar, në deklarimet e tij, tregohej i kujdesshëm duke veçuar kryeministrin aktual të Kosovës nga populli i Kosovës dhe duke i prezantuar marrëdhëniet Kosovë – ShBA si raporte mes popujve të të dy vendeve.

“Partneriteti mes SHBA-së dhe Kosovës është mes popujve të Kosovës dhe SHBA-së. Nuk shkon prej një njeriu, ose një pale. Por, duhet të them, aktualisht ne kemi një problem me komunikimin me kryeministrin”, siguronte Esobar. /Demokracia.com/