Demhasaj: Kurtit po i kërkohen hapa konkretë për Asociacionin, nëse nuk i bën, dështon anëtarësimi në KiE

- in Lajme

Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj ka thënë se Gjermania dhe Franca po bëjnë kërkesa eksplicite ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit, duke shtuar se pret që ky të jetë kushti i fundit që Kosova të anëtarësohet në KiE.

“Po me aq sa po shihet edhe nga Franca dhe Gjermania ka kërkesa eksplicite për Kosovën që ta bëjë hapin e parë drejt themelimit të Asociacionit, që është nxjerrja e vendimit nga ana e Qeverisë për draft statutin e Asociacionit e propozuar nga BE të zyrtarizohet si draft statut i qeverisë së Kosovës e më pas ai draft të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese e ta marrë konfirmimin nga Gjykata nëse është konform Kushtetutës si hap që pastaj Kosova ta kalojë me sukses anëtarësimin në Këshill të Evropës. Pra me shumë gjasë ky mund të jetë kushti i fundit që po kërkohet që Kosova të anëtarësohet në KiE”, thotë ai.

Analisti pret që Kurti ta dërgojë draftin në Kushtetuese, derisa për këtë e kanë bërë zotimin ai, Osmani e Konjufca.

“Mendoj që vetë letra që Osmani, Kurti e Konjufca kanë dërguar te Këshilli i Evropës, ku këta i pranojnë obligimet e Kosovës për t’i implementuar të gjitha pikat nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit mund të nënkuptohet që kryeministri po pranon të hyjë në këtë ndërmarrje. Në anën tjetër, për faktin që po ka kërkesa eksplicite nga Macron e Scholz që Kosova t’i bëjë hapat e parë për Asociacionin, atëherë mund të vije deri te ajo që Kosova të dështojë të anëtarësohet në hapin final që është votimi”, vlerëson Demhasaj.

Lidhur me kundërshtimet e Kurtit për Asociacionin, ai thotë se në secilin hap të Kurtit në deklarimet dhe veprimet e tij ka pasur kundërthënie, por që Kurti tani e ka draftin e BE-së në tavolinë dhe po i kërkohen hapa konkretë lidhur me këtë.

“Nëse kthehemi prapa dhe e shohim se çka ka deklaruar kryeministri Kurti dhe çka ka vepruar, në secilin hap ka pasur kundërthënie, fillimisht nuk e ka pranuar as marrëveshjen e Brukselit që ekziston e pastaj jo vetëm që e pranoi por edhe e dakordoi, mandej dhe aneksin e Ohrit. Madje është thënë dhe nga kryeministri e zv/kryeministri që vetëm nëse flitet për asociacionin do të japin dorëheqje tani jo vetëm që po flasin por po ka kërkesa për dërgim në kushtetuese të draftit. Nëse flasim për dinarin, ka pasur deklarata që nuk do të bëhet temë e takimeve në Bruksel dhe tani po e shohim se deri tani janë mbajtur 7 takime, pikërisht për dinarin. Të gjitha këto deklarata kanë qenë kundërthënëse, kështu që kryeministri mund të thotë se nuk e bëj asociacionin nuk e kam bërë apo s’do ta bëj  por marrëveshja që ai e ka darkoduar flasin për asociacionin. Draftin nga BE që e ka në tryezë ai është drafti për asociacionin dhe po i kërkohet dërgimi i tij në kushtetuese. Pra po flasim për hapa konkret drejt asociacionit dhe s’po flasim më për deklarata”, potencon Arton Demhasaj.

Ndërsa, duke folur për çështjen e dinarit dhe diskutimet në Bruksel për të, analisti vlerëson se është bërë gabim nga Qeveria që e ka bërë këtë temë diskutimi në dialog.

“Mendoj se ka qenë gabim i qeverisë që një çështje të brendshme si ajo e valutës e ka bërë pjesë të diskutimeve në Bruksel. Ka mundur ta draftojë një ligj dhe ai ligj të votohet në Kuvend, ku sipas këtij ligji parashihet që Kosova e ka vetëm një valutë që është euro dhe përmes atij ligji gradualisht të largohet dinari nga qarkullimi. Këta e kanë filluar me një rregullore të BQK-së ku kjo rregullore është bërë pjesë e takimeve në Bruksel”, thotë ai.

Demhasaj mendon se në takimin e ardhshëm në Bruksel mund të ketë zgjidhje.

“Tani me gjasë nga takimet është parë që palët kanë mospajtueshmëri të mëdha sa i përket dinarit, me shumë gjasë BE do ta bëjë një propozim siç është deklaruar, e pastaj palën të përafrohen e më pas gradualisht të vijnë tek një zgjedhje e përbashkët. Unë mendoj që ka mundësi për të pasur një zgjidhje, të paktën në bazë të asaj që po shihet pretendimet e ndërkombëtarëve janë që fillimisht të fillohet procedura e themelimit të Asociacionit e në momentin që themelohet ai, atëherë edhe dinari largohet nga qarkullimi”, deklaron analisti Arton Demhasaj për gazetën blic./Demokracia