Triumfi i Ali Ahmetit | I mbështeti publikisht, por Albin Kurti hesht për debaklin e opozitës shqiptare në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut

- in Lajme

Kryeministri i Kosovës ka mbetur i dëshpëruar e “pa gojë” nga rezultati i djeshëm në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe triumfi i krahut të Ali Ahmetit.

Fajtori kryesor për përçarjen e spektrit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe shpërndarjen e fuqisë politike në fronte të ndryshme, nuk e ka thënë ende asnjë fjalë pasi që koalicioni VLEN, që ai e mbështeti, pësoi debakël.

Dy kandidatët shqiptarë për president, nuk ia dolën të fitonin vota të mjaftueshme për ta siguruar balotazhin, pasi i përçau Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Bujar Osmani nga Fronti Europian mori 13.36 për qind të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN, 9.21 për qind të votave.

Në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen bashkë me raundin e dytë të presidencialeve pritet të triumfojë VMRO-DPMNE-ja në opozitë, e cila ka kundërshtuar lëshimet për hir të integrimit, si ndryshimin e emrit apo Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare.

Sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, pas numërimit të 99.03% të vendvotimeve, renditja e kandidatëve është kështu:

1. Gordana Siljanovska Davkova (VMRO-DPMNE)
362.682 | 40,08%

2. Stevo Pendarovski (LSDM)
180.306 | 19,93%

3. Bujar Osmani (BDI)
120.903 | 13,36%

4. Arben Taravari (VLEN)
83.356 | 9,21%

NËSE KURTI NUK DO TA PËRÇANTE SPEKTRIN POLITIK, SHQIPTARËT DO TA SIGURONIN BALOTAZHIN PËR PRESIDENT

Sipas një matematike të thjeshtë, nëse shqiptarët do të prezantoheshin me një kandidat të vetëm në këtë garë për zgjedhjet presidenciale, atëherë është e sigurtë se për herë të parë në historinë politike të Maqedonisë së Veriut shqiptarët do të siguronin raundin e dytë të zgjedhjeve, pasi do të arrinin në kuotën prej 204,259 votave votave, pra më shumë se kandidati i dytë maqedonas Stevo Pendarovski, për 23,953 vota.

Ndarjes së madhe të shqiptarëve në dy formacione politike i ka shërbyer kryeministri Kurti, i cili në mënyrë të paprecedent ka ndërhyrë në procesin zgjedhor të vendit fqinj.

Adresa e parë ku Kurti do të duhej të trokiste për t’i shërbyer këtij unifikimi duhej të ishte dera e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit, politikanit me peshën më të madhe në spektrin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut për më shumë se dy dekada, që nga koha kur udhëhoqi Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, e cila solli ndryshimin e madh të gjendjes së shqiptarëve në këtë shtet.

Por, Kurti ka shkuar në adresa të tjera, tek subjekte politike si “Lëvizja Besa” e Bilall Kasamit, “Lëvizja Demokratike” e Izet Mexhitit dhe “Alternativa” e Afrim Gashit, të cilat janë të preferuara për koalicion paszgjedhor nga VMRO-DPMNE, një parti që ka agjendë të dyshimtë pro-ruse dhe së fundmi ka dalë edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kurti ka mbështetur hapur partitë opozitare shqiptare dhe kandidatin e tyre për president Arben Taravarin, i cili e ka pranuar edhe pulikisht se ka qenë Kryeministri i Kosovës që e ka inkurajuar të kandidonte për president dhe e ka pritur disa herë në zyrën e tij në Qeverinë e Kosovës. /Demokracia.com/