Korrupsioni për nga përkufizimi e në kuptimin e gjerë universal është kuptuar si ‘keqpërdorim i pushtetit publik për përfitim privat’, dhe lufta kundër saj është trumbetuar për një jetë të tërë politike te Albin Kurti dhe organizata e tij politike Lëvizja Vetëvendosje. Çiltërsia e pretenduar në raport me ‘korrupsionin qeveritar’ shënohet çdo ditë e në çdo frymë të angazhimit diskursiv të tij. Por, ndonëse s’ka ditë që kalon e që Kurti s’e jep që – sipas tij – ‘(…)progresi ynë në luftimin e krimit dhe korrupsionit është konfirmuar edhe ndërkombëtarisht (…)’; kjo mbetet deklarim selektiv dhe thirrje në raporte të përzgjedhura aty-këtu të favorshme për t’i cituar.
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023 të botuar dje në uebsajtin zyrtar s’ia njeh këtë puritet: zero. Natyrisht, këtë raport s’ia zë goja goja nga qeveria kosovare; ndonëse kaherë Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin, (p.sh) në vitet 2017 e 2018 kur shkruhej për “korrupsion endemik qeveritar” e kishin krye-referencë ndaj qeverive të asokohshme për të argumentuar largimin, rrëzimin dhe shkuarjen-njëherë-e-mirë të tyre nga qeverisja.
Por, ky raporti DASh-it, i botuar çdo vit, pas “korrupsionit endemik qeveritar”, në vitin 2019 kishte pësuar lehtësim semantik në “korrupsion qeveritar dhe pandëshkueshmëri”; për të vazhduar në të njëjtën formulim edhe më 2020.
Por, piktura – që supozohej të merrte tatëpjetën me ardhjen e Qeverisë së Albin Kurtit që garonte mbi platformë luftimin e korrupsionit në fakt morri përpjezën – gjithnjë referuar raportit të Departamentit të Shtetit. Më 2021, 2022 dhe së fundi edhe 2023, frazimi që ishte zbutur më 2019 dhe 2020, mprehet për nga tonet dhe pikturon një table më të errët: “Korrupsion Serioz Qeveritar”.
Në raportin e botuar dje në DASh (për vitin 2023) qysh në përmbledhjen e përgjithshme hyrëse skicon këtë tablo:
“Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme për: probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve; korrupsion serioz qeveritar; dhunë e gjerë me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në familje ose nga partneri intim; dhe krime që përfshijnë dhunë ose kërcënime për dhunë që synojnë pakicat etnike ose komunitetet e tjera të margjinalizuara. Qeveria ndërmori hapa të besueshëm, por jokonsistent për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut”.