Kryetari i partisë “Dinjiteti”, pjesë e koalicionit të VMRO-DPMNE-së, Stojançe Angellov, ka reaguar pas fjalimit kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit, pasi ky i fundit të hënën iu kundërpërgjigj liderit të partisë opozitare maqedonase VMRO-DMNE-së, përkatësisht liderit të saj Hristjan Mickoski, i cili së fundmi ka ngritur tonet nacionaliste kundër shqiptarëve, posaçërisht kundër partisë së Ahmetit.
“Në tubimin e mbrëmshëm të BDI-së në qendër të Shkupit, ish-komandanti i UÇK-së dhe kryetari aktual i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërcënuar hapur dhe drejtpërdrejt Hristijan Mickoskin, që është shoqëruar me thirrjet “UÇK, UÇK, UÇK, UÇK të cilave iu bashkua dhe vetë Ahmeti duke thirrur me zë të lartë “UÇK, UÇK, UÇK”, thuhet në reagimin e Angellovit në Facebook.
Ai ka shtuar se Ahmeti nuk duhet t’ua kujtoj maqedonasve se çfarë emocionesh ngjall përmendja e UÇK-së në qendër të Shkupit, pikërisht në sheshin e Shkupit, ndërsa të pranishmit valëvitnin flamuj të panumërt shqiptarë dhe flamuj të UÇK-së, pa asnjë flamur maqedonas.
“Prandaj, i them Ali Ahmetit të ketë kujdes me kërcënimet. Mickovski nuk është vetëm. Pas tij qëndron VMRO DPMNE dhe koalicioni ‘Maqedonia juaj’. Pas tij qëndron një shumicë dërrmuese e popullit maqedonas, por edhe një shumicë dërrmuese nga ne, ‘branitellat’ maqedonas të vitit 2001”, shtoi.
“Po ata ‘branitella’ që në luftën e 2001 ju mposhtën në të gjitha betejat në fushëbetejë, po ata ‘branitella’ nga të cilët ju shpëtuan të huajt ndërsa ju valëvitët flamuj të bardhë në Haraçinë. Prandaj, ngrini frenat e dorës në kohë. Sepse, siç thekson çdo ditë Mickoski, po afron koha e përgjegjësisë për gjithçka që BDI i ka bërë Maqedonisë, duke filluar nga viti 2001 e deri më sot”.
Ndryshe, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, njëherit lideri i koalicionit “Fronti Evropian”, Ali Ahmeti, theksoi të hënën se Mickoski i cili së fundmi ka ngritur tonet nacionaliste kundër shqiptarëve, “është rritur me gurabi”.
“Hristjan Mickoski është rritur me keksa. Unë, Hristjan jam rritur në kullë prej guri që tre herë është djegur prej pushtuesve”, tha Ahmeti, dhe në këto momente filluan brohoritjet “UÇK, UÇK”, të cilat i vazhdoi edhe kreu i BDI-së.
“Dikujt mund t’i vijë mërzi se pse këta të rinj thërrasin UÇK. Por, UÇK-ja është ajo që e bëri Maqedoninë. UÇK-ja është ajo që i bëri të gjithë me dinjitet, edhe komunitetet…”, potencoi.
Ndryshe, VMRO-DPMNE të gjithë fushatën zgjedhore e ka reduktuar në sulmet ndaj BDI-së, përkatësisht kryetarit Ali Ahmeti, por edhe kandidatit të “Frontit Evropian” për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani./Demokracia