Bojkoti kundër Kosovës | Dikur edhe Albin Kurti bënte thirrje të bojkotoheshin zgjedhjet për Kuvendin që shpalli pavarësinë

- in Lajme

Thirrjet e Listës Serbe të dirigjuar nga Beogradi zyrtar për bojkot të procesit të votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, paraqesin refuzimin e Prishtinës zyrtare, ndonëse institucionet kosovare hyn në këtë proces me premtimin se serbët do të ndjekin rrugën institucionale për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe nuk do ta bojkotonin procesin, ashtu siç bënë më 23 prill 2023 kur nuk dolën në zgjedhje.

Madje, kjo rrugë e re për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë është hapur pikërisht nga Qeveria e Kosovës që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

https://demokracia.com/votimi-per-shkarkimin-e-kryetareve-shqiptare-si-e-hapi-albin-kurti-rrugen-per-rikthimin-ne-pushtet-te-listes-serbe-ne-komunat-veriore-te-kosoves/

Ky refuzim i Listës Serbe për të marrë pjesë në këtë proces, dëmton përpjekjet e Republikës së Kosovës për të kthyer normalitetin në këto komuna, ku herë pas here, tensionet janë të pranishme.

Pjesë e këtyre tensioneve ishin bërë edhe zyrtarët më të lartë të kësaj partie. Në shtatorin e vitit 2023, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, është vërtetuar edhe përmes videove, se i ka prirë grupit terrorist të armatosur ushtarakisht që sulmuan institucionet e Republikës së Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Siç duket, thirrjet për bojkotim të proceseve demokratike dhe institucionale, më së paku i ndihmojnë zhvillimit të Republikës së Kosovës.

Këtë fakt nuk e kishte parasysh kryeministri i tashëm i Kosovës, Albin Kurti, si opozitar, në vitin 2007, i cili asokohe kishte themeluar Lëvizjen Vetëvendosje, një subjekt politik që qysh në fillimet e saj ishte shfaqur me një linjë më të ashpër në përmbushjen e qëllimeve të saj politike.

MEDIAT NDËRKOMBËTARE: ZGJEDHJET PARA SHPALLJES SË PAVARËSISË

Zhvillimet politike të vitit 2007 ishin të qarta për të gjithë. Pas negociatave disavjeçare në Vjenë, Kosova pritej të shpallte pavarësinë e saj.

Gazeta THE GUARDIAN shkruante më 18 nëntor 2007 se zgjedhjet janë zhvilluar në mesin e pritjes nga kosovarët dhe komuniteti ndërkombëtar se “Kosova do ta shpallë pavarësinë – Bisedimet e statusit nuk po shkojnë asgjëkundi”.

“Kosova”, shkruante The Guardian, “pritet ta shpallë pavarësinë në shkurt, pas afatit të 10 dhjetorit kur treshja ndërkombëtare do të bëjë raportin e vet për bisedimet”.

“Çfarëdo që të jenë ndryshimet midis tyre, partitë kryesore që konkurruan në zgjedhjet e Kosovës janë fuqishëm të një mendjeje për një qëllim: Pavarësinë nga Serbia”.

Nëse fiton zgjedhjet ish-komanndati guerilas Hashim Thaçi dhe partia e tij demokratike e opozitës, siç tregojnë parashikimet, kërkesat për pavarësi mund të bëhen edhe më të fuqishme, shkruante The Guardian.

Gazeta tjetër, THE INDEPENDENT shkruante se “Pavarësia ishte shenja kryesore në zgjedhjet në Kosovë”.

Ky ishte ambienti politik i asaj kohe dhe rëndësia e madhe që Zgjedhjet e 17 Nëntorit 2007 kishin për Kosovën dhe të ardhmen e saj politike.

Megjithkëtë, Kurti kishte hyrë në një “rrugë pa krye” dhe mbante qëndrime që sot nxjerrin në sipërfaqe një figurë politike të ndërtuar mbi gënjeshtra dhe vrojtime krejtësisht të gabuara, të cilat vazhdojnë ta ndjekin si hije edhe sot kur ai është bërë kryeministër.

17 NËNTOR 2007 – KURTI BËNTE THIRRJE PËR BOJKOTIMIN E ZGJEDHJEVE: THAÇI DO TA PRANOJË AUTONOMINË E KOSOVËS NËN SERBI

Historia e rrugëtimit politik të Kurtit, shpeshherë e shpërfaq atë si një figurë komike, e në plotë raste të tjera me qëndrime në kundërshtim të arritjeve madhore historike për shqiptarët e Kosovës, por jo vetëm.

Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, asokohe u bënin thirrje shqiptarëve të bojkotonin pjesëmarrjen në Zgjedhjet e 17 Nëntorit 2007.

Në një intervistë për TV Klan të Shqipërisë, të dhënë më 17 nëntor 2007, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte treguar arsyet se përse subjekti i tij politik ishte bërë pjesë e fushatës, duke u kërkuar qytetarëve që të bojkotojnë pjesëmarrjen në zgjedhje.

“Z. Kurti, pse votuesit shqiptarë nuk duhet të votojnë në këto zgjedhje?”, ishte pyetja që iu bë atij nga gazetari i TV Klan.

“Në këto zgjedhje kur voton nuk zgjedhë dhe në Kosovë mund të kesh qëndrim, por nuk mund të marrësh vendime për shkak se UNMIK-u është autoriteti suprem që e ka fjalën e fundit për gjithçka. Arsyeja tjetër është se ne duam që të mos ketë votime për parti, por të ketë referendum për liri. Tash përqindja është relativisht e vogël e njerëzve që po dalin në këto votime, mirëpo po të votohej për referendum atëherë përqindja do të ishte jashtëzakonisht e madhe”, ishte përgjigjja e Kurtit, përcjell Demokracia.com.

Madje, Kurti gënjente dhe dezinformonte qytetarët e Kosovës se kryeministri i ardhshëm, Hashim Thaçi, do ta pranonte autonominë e Kosovës nën Serbi. Por, vetëm tre muaj më vonë, më 17 Shkurt 2008, ndodhi e kundërta: Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli aktin e Pavarësisë së Kosovës.

“Në kohën kur duhet t’i përqëndrojmë vëmendjen dhe përpjekjet për statusin e Kosovës, për pavarësinë e Kosovës, në kohën kur duhet të flitet për Ministri të Mbrojtjes, të Punëve të Jashtme, për sovranitet, për integritet territorial, për ulëse në OKB, këta i organizuan këto zgjedhje që ta shpërqëndrojnë përpjekjen dhe vëmendjen e popullatës dhe të politikanëve dhe në këtë mënyrë politikanët kanë përfunduar në fushatën parazgjedhore me premtime dhe kërkesa autonomiste. Domethënë, po e përgatisin Kosovën për një marrëveshje të re me Serbinë dhe për këtë arsye po iu duhet një koalicion i fuqishëm PDK – LDK, me Hashim Thaçin kryeministër, i cili si shkëmbim do të duhej që ta pranonte atë autonominë e re nën Serbi, që do ta kishte emrin Federatë apo Konfederatë asimetrike”, deklaronte Kurti.

https://www.youtube.com/watch?v=2mZRVvNC5W0

17 NËNTOR 2007 – SERBËT BOJKOTOJNË ZGJEDHJET PAS THIRRJEVE NGA BEOGRADI

Edhe Beogradi zyrtar kishte bërë thirrje të njëjta për serbët në Kosovë, të cilët iu kishin përgjigjur plotësisht dhe kishin bojkotuar pjesëmarrjen në zgjedhje.

Beogradi zyrtar llogariste se “mosdalja e serbëve në zgjedhjet parlamentare e lokale tregon se ata nuk duan t’u japin legjitimitet zgjedhjeve”.

Në raportimet e asaj kohe të BBC-së jepeshin të dhëna për bojkotimin e zgjedhjeve nga votuesit serbë që jetonin në Kosovë.

“Në veri të Kosovës, të banuar kryesisht me shumicë serbe, votuesit serbë e kanë injoruar plotësisht ditën e zgjedhjeve. E njëjta njoftohet të ketë ndodhur edhe në pjesën lindore të Kosovës, në fshatrat e rajonit të Gjilanit e Kamenicës”, thuhej në raportimin e BBC-së në gjuhën shqipe një ditë pas zgjedhjeve, më 18 nëntor 2007.

“Kreu i administratës ndërkombëtare, Joackim Ruecker, shprehu zhgënjimin e tij me mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje, por nënvizoi se ato kanë dëshmuar pjekurinë politike të qytetarëve kosovarë”, thuhej më tej në raportimin e BBC-së.

Pavarësisht këtyre thirrjeve për bojkot, Kosova kishte arriur të ndërtonte institucionet e saj që kishin dalë nga rezultati i zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007.

Edhe Kuvendi i Kosovës ishte konstituuar dhe kishte votuar Hashim Thaçin si kryeministër të Kosovës, pas marrëveshjes historike për bashkëqeverisje, PDK – LDK.

Pikërisht tre muaj pas zgjedhjeve të 17 Nëntorit 2007, më 17 Shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli Pavarësinë e Republikës dhe themelimin e shtetit. Pjesa tjetër është histori… /Demokracia.com/

https://demokracia.com/sovraniteti-i-improvizuar-kontejneret-vendi-ku-perfundon-sovraniteti-i-qeverise-se-albin-kurtit-ne-veriun-e-kosoves/

https://demokracia.com/deshton-qeveria-e-kurtit-nuk-siguron-hapjen-e-shumices-se-shkollave-ne-veri-per-votimin-e-21-prillit/

https://demokracia.com/sovlaniteti-i-kurtit-me-21-prill-ne-veriun-e-kosoves-do-te-votohet-ne-kontejnere/

https://demokracia.com/qendra-votimi-te-zbrazeta-zhduken-kurti-e-osmani-asnje-mesazh-per-procesin-e-votimit-ne-veriun-e-kosoves/Demokracia