Sot janë bërë 11 vjet që kur u nënshkrua marrëveshja e 19 prillit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë.
Edhe sot kryeministri Kurti provoi ta manipuloi publikun para se ta pranojë zyrtarisht Zajednicën, siç edhe po pritet, që ta dërgojë statutin e saj në Kushtetuese.
Kurti ka thënë se këtë marrëveshje përfshihej edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili u pasua edhe me një marrëveshje tjetër të vitit 2015, Marrëveshjen e Parimeve. Kurti tha se kompetencat e parapara për Asociacionin, sipas të dyja këtyre marrëveshjeve shkelnin rëndë Kushtetutën e Kosovës, ndërsa Serbia ka vazhduar të shkelë nenet e tjera të kësaj marrëveshje. Kjo nuk është e vërtetë dhe për më tepër, Kushtetuesja kërkon që parimet e 2015-ës të vendosen sipas marrëveshjes së 2023-ës.
Por, kohë më parë, Kryeparlamentari i Kosovës dhe njëkohësisht njeriu i dytë në Lëvizjen Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i dha fund propagandës njëdekadëshe të Albin Kurtit dhe partisë së tyre.
PARA 21 TETORIT 2023
Më 15 shtator 2023, Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka zbuluar se çfarë në të vërtetë mendojnë ai dhe kryeministri Albin Kurti për Asociaicionin e vitit 2013, duke i dhënë fund propagandës së tyre njëdekadëshe që ka sjellur pasoja të pariparueshme për shtetin e sapoformuar të Kosovës.
Prapa kundërshtimit të dhunshëm për një dekadë, Konjufca ka zbuluar se Marrëveshja e 2013-es për Asociacionin, e kohës së ish-kryeministrit Hashim Thaçi, ishte më e mirë dhe sillte njohjen de-facto të Republikës së Kosovës nga Serbia.
Përmes kësaj deklarate, Konjufca ka treguar se Kurti nuk i ka ikur Marrëveshjes Bazë kur e pranoi në Bruksel (27 shkurt 2023), por sipas tij, marrëveshja për pjesën integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023) për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi është version më i dëmshëm. Aneksi ishte shtuar nga BE dhe pranuar nga Kurti.
Kryeparlmentari Konjufca e ka pranuar se me Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit, Kosova ka pranuar ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sipas Marrëveshjes së vitit 2013 për ta marrë njohjen de-facto nga Serbia.
“Neni 7 i Marrëveshjes së Ohrit është se dy pjesë janë këtu, njohja de facto edhe qyky Asociacioni – me mujtë Kosova, kurgjo pa e ngarku Kosovën më shumë se që ka pranu Qeveria Thaçi 2013, kurgjo ma shumë për mos me dhanë, për me arritë t’i me fitu njohjen de facto. Qekjo na është duk neve deal (marrëveshje) e mirë”, kishte deklaruar Konjufca në një intervistë të transmetuar në RTV Dukagjini.
PAS 21 TETORIT 2023
Më 21 tetor 2023, dialogu Kosovë – Serbi ka marrë një kthesë tjetër. Kryeministri Kurti ka filluar procesin e themelimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas Nenit 7.
Në këtë datë, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë. Ky draftstatut nuk është publikuar gjatë vitit 2023.
Por, në një intervistë më 27 dhjetor 2023, kryeparlamentari Konjufca ka shpërfaqur fakte tronditëse për përmbajtjen e draftstatutit që kryeministri Kurti ishte vetëofruar ta nënshkruajë më 26 tetor 2023.
Të njëjtin draft që Kurti ishte i gatshëm ta formaizonte dhe me nënshkrim, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka parë si të rrezikshëm për shtetin e Kosovës dhe që nuk duhet të zbatohet.
“Ky draft-statut i BE-së, unë i them faleminderit shumë që na keni këshillu në këtë mënyrë kaq miqësore. Jo more, nuk implementohet ai draft. Nëse këto janë këshillat tua, faleminderit shumë, por aty ka edhe shumë gjëra problematike. Pse janë ato gjëra? Sepse, nuk e ka shkruar Kosova. Kaq thjesht”, ka thënë Konjufca.
Pavarësisht tendencës së Qeverisë Kurti dhe drejtuesve të Vetëvendosjes për të bërë një tërheqje nga zotimet e kryeministrit Albin Kurti me arritjen e Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksit të zbatimt [Ohër, 18 mars 2023], vetë kryeministri Kurti po vazhdon të këmbëngulë që këto dokumente të nënshkruhen në ceremoni, ndonëse ai është pajtuar që këto dy marrëveshje të hyjnë në fuqi me Deklaratën e BE-së, e cila është publikuar më 18 mars 2023, menjëhërë pas takimit të Ohrit. /Demokracia.com