DOKUMENTE | Dyshime se tenderi 6.5 milionë euro u përgatit për kompaninë që po i “gëlltitë” tenderët në institucionet shëndetësore

- in Lajme

Kompania “Madekos” është duke i ‘gëlltitur’ tenderët e shtetit në institucionet shëndetësore. Së fundmi janë hedhur dyshime se një tender në një vlerë prej 6.5 milionë euro është përgatitur për këtë kompani nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës – SHSKUK. Kjo është hedhur poshtë nga menaxhmenti i saj. Këtë pritet ta verifikojë Organi Shqyrtues i Prokurimit, shkruan Demokracia.com.

SHSKUK po pretendon të blejë produkte që t’u dhurohen falas personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Bazuar në specifikat teknike që ka hartuar prokurimi i këtij institucioni, pajisjet i posedon vetëm prodhuesi HOGGI GmbH me modelin Bingo evolution dhe prodhuesit Invacare. Kjo pasi që specifikat janë vendosur me centimetra sa duhet të jenë dhe nuk është lënë devijim apo variant tjetër. Autorizimin për të importuar produktet e Hoggi dhe Invacare në Kosovë e ka vetëm kompania “Madekos”, e cila në dy vitet e fundit ka fituar disa miliona euro tenderë nga institucionet e shtetit. Është njëra ndër tri kompanitë më fitimprurëse nga tenderët publikë në shëndetësi. Në SHSKUK e kanë pranuar që disa prej pajisjeve ia kanë përshtatur prodhuesit Hoggi, por kanë thënë se specifikat teknike i janë përshtatur edhe disa prej prodhuesve të tjerë.

Pretendimet që disa prej specifikave kryesore i janë përshtatur atij prodhuesi i ka hedhur kompania “Interlab”, të cilës i është refuzuar ankesa, e cila më pas është ankuar ne Organin Shqyrtues të Porkurimit – OSHP.

Ndërkohë është pezulluar tenderi “Furnizim me produkte për personat paraplegjik dhe tetraplegjik”, me vlerë prej 6.5 milionë euro, deri sa OSHP të marrë vendim.

Paraplegjikët – janë personat të cilët si shkak i sëmundjes apo dëmtimit të sistemit nervor qendror apo periferik kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme.

Tetraplegjikët – ose (kuadriplegjikët) – janë personat të cilët si shkak i sëmundjes apo dëmtimit të sistemit nervor qendror apo periferik kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes të ekstremiteteve të sipërme dhe të poshtme.

Edhe Demokracia.com ka gjetur se disa prej produkteve i janë përshtatur prodhuesit, me të cilin ka bashkëpunim “Madekos”.

“Nje gje mund te shihet qarte ketu se AK ka bere trukimin e ketij aktiviteti te prokurimit publik duke tentuar qe te behet keqperdorim i mbi 3.5 Milion euro. Ndihme per personat me nevoja te veqanta dhe per Republiken e Kosoves do te ishte sikurse te krijohej specifikim i atillë ku nuk do te perpilohej specifikimi i tille i pershtatur pike per pike per prodhuesin Hoggi dhe Invacare duke mundesuar trukimin e tenderit dhe keqperdorimin e mbi 3.5M, nese keto produkte do te bliheshin nga cilido prodhues Europian me kualitetin e njejte, mirepo kjo nuk eshte mundesuar nga AK pasice specifikimi eshte copy paste nga katalogu i Hoggi GmbH dhe Invacare per te cilen edhe AK eshte ne dijeni se asnje prodhues ne bote nuk prodhon te njejta dimenzione per modele te ketyre karrigeve. Qe dmth secili prodhues ka dimenzionet e veta dhe nuk i permbush ato te kerkuara ne DT. – Per pozicionin nga 1 deri ne 3 nuk egziston asnje prodhues ne bote (Quicke, Sunrise Medical, B+B Medical, Panthera) qe mund te i përmbush specifikimet 100% dmth dimenzionet e kerkuar sipas DT – Fakti qe AK kete aktivitet te prokurimit publik e ka publikuar per nje periudhe nga data e publikimi deri ne daten e hapjes per vetem 20 dite dhe duke kerkuar edhe moster ne diten e hapjes atehere edhe me shume forcon pretendimet tona se pas kesaj qendron qellimi i ngushtimit te konkurrences ne vetem nje operator ekonomik dhe ofertimi deri ne maksimum te buxhetit per kete aktivitet te prokurimit publik”, ka shkruar Interlab në ankesën e saj, përcjell Demokracia.com.

Specifikimet teknike favorizuese për OE Madekos sh.p.k nga njësia e kërkesës

Autoriteti konktraktues më datën: 20.03.2024 në platformen e-prokurimit ka ngritur dosjen e tenderit dhe kompania ankuese ka ardhur në konkluzion se në TËRËSI- Specfikimet teknike të detyrueshme Ankesi 1 janë në përputhje me produktet e prodhuesit HOGGI GmbH dhe modelin Bingo evolution për pozicionin 1- Karroce me mbështetje posturale – speciale për fëmijë të varur 100% në karrocë, për prodhuesin HOGGI GmbH dhe modelin Sherpa 3007 për pozicionin 2-Karroce me Mbështetje posturale- speciale për fëmijë aktivë, për prodhuesin HOGGI GmbH dhe modelin Supra 2.0 për pozicionin 3 Karroca për përdorim aktiv dhe për pozicionet 4,5,6 për prodhuesin INVACARE nga Anglia.

Nëse merren copy-paste specifikimet teknike të detyrueshme dhe vendosen në www.google.com, menjëherë ndërlidhen me prodhuesit e lartcekur, që tregon haptas se janë favorizuese. Kërkesat e AK-së janë në formën e kërkuar që të gjitha karriget për përdorim tek personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë fikse dhe është e pamundshme që dy prodhues në botë te kenë dimensionet egzakte dhe me këto kërkesa AK ka ngushtuar apo parapërcaktuar fituesin për këtë aktivitet të prokurimit publik.

Bëhet fjalë për një sasi prej 200 artikujve të karrocave, ose ky është produkti më i shtrenjtë në tender.

Specifikimet në Katalogun e prodhuesit Hoggi Gmbh pikë për pikë të njejta me ato të
kerkuara nga AK per pozicionin numër 1: https://hoggi.de/en/products/rehab-pushchairs-rehab-buggies/bingo-evolution

Pozicioni 2- pozicionin 2-Karroce me Mbeshtetje posturale- speciale për femije aktiv, Specifikimet e kërkuara nga njësia e kërkeses jane Copy paste nga katalogu i prodhuesit Hoggi GmbH: Të kërkuara nga AK:

Specifikimet në Katalogun e prodhuesit Hoggi Gmbh pikë për pikë të njejta me ato të kerkuara nga AK per pozicionin numër 2:

https://hoggi.de/en/products/mobility-bases/sherpa

Pozicioni 3- Karroca për perdorim aktiv. Specifikimet e kerkuara nga njesia e kerkesës janë Copy paste nga katalogu i prodhuesit Hoggi GmbH: Të kerkuara nga AK:

Specifikimet në Katalogun e prodhuesit Hoggi Gmbh pikë për pikë të njejta me ato të kërkuara nga AK për pozicionin numër 3:

https://hoggi.de/en/products/wheelchairs/active-wheelchairs/supra-2-0

Ndërsa për pozicionin numër 4,5 dhe 6 specifikimet teknike janë përpiluar për prodhuesin Invacare me seli ne Angli.

Përpilimi i specifikimeve teknike, duke favorizuar prodhuesin nga Gjermania dhe prodhuesin nga Anglia nga njësia e kërkesës bie ndesh me Nenin 28 Paragrafi 2 të LPP-së ‘Autoriteti kontraktues do t’i përpilojë specifikimet teknike në atë mënyrë që ato të jenë në përputhje me qëllimin e prokurimit dhe të drejtuara drejt sigurimit të qasjes sa më të mirë për të gjithë operatorët e interesuar ekonomik dhe tenderuesit. Autoriteti kontraktues është veçanërisht i ndaluar që të hartojë specifikime teknike që favorizojnë ose diskriminojnë një ose më shumë operatorë ekonomikë”, thotë neni 28 i LPP-së.

SHSKUK e pranon se disa kërkesa i ka vendosur për Hoggi GmbH dhe Invacare

SHKUSK-ja e ka refuzuar ankesën e “Interlab” për të përmirësuar disa prej specifikave teknike, të cilat do të lejonin pjesëmarrje më të gjerë për kompanitë dhe jo kufizim. Por, ata kanë thënë se specifikat nuk janë përshtatur vetëm për një kompani, por për disa.

“Ju njoftojmë se specifikat teknike nuk janë marrë vetëm nga një prodhues, për arsyeje se nuk përdorën vetëm nga një diagnozë e caktuar dhe nuk do të përdorën vetëm nga një person”, ka shkruar SHSKUK në arsyetimin e saj.

Arsyetimi plotë:

Ky tender, i cili është pezulluar dje, do të mbetet ashtu deri sa OSHP të japë një vendim për të. /Demokracia.com