“Levica”… angazhohet ta shfuqizojë edhe njohjen e Kosovës sapo ta marrë pushtetin. Nuk guxojmë të lejojmë që Maqedonia të shndërrohet Palestinë e Ballkanit”.
Kështu thuhej në reagimin e ashpër të partisë “E Majta / Levica” të Dimitar Apasievit, më 17 shtator 2021, të publikuar vetëm pak orë pas mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, shkruan Demokracia.com.
Përmes këtij reagimi, Apasiev po shprehte hapur qëllimin e angazhimit të tij politik, të filluar vetëm pak vite më herët, në vitin 2015, kur themeloi partinë e tij “E Majta” apo “Levica”. Në mesin e shumë qëndrimeve të tij, Kosova zë një vend të madh dhe Apasiev ka mbajtur qëndrime të afërta me Beogradin zyrtar, duke përhapur frymën e njëjtë se populli serb në Kosovë është i shtypur.
Në reagimin e shtatorit të vitit 2021, Apasiev kishte dalur kundër marrëveshjeve që ishin arritur në mbledhjen e dy qeverive.
“Marrëveshja që është në mesin e 11 marrëveshjeve të nënshkruara midis Albin Kurtit dhe Zoran Zaevit, lejon hyrjen, qëndrimin dhe tranzitimin e të ashtuquajturës “Forcat e Sigurisë së Kosovës” nëpër territorin e Maqedonisë. Justifikimi që përdoret për këtë akt të turpshëm është se forcat e Kosovës do të shërbejnë si ndihmë për sigurinë e Maqedonisë dhe reagim urgjent gjatë krizave. Por, këto janë gënjeshtra të dy vazalëve protektorat dhe nuk kanë asnjë mbështetje nga realiteti” – thuhej në reagimin e partisë “E Majta” të Dimitar Apasievit.
Sipas kësaj partie “Forcat ushtarake të Kosovës janë edhe një hap drejt realizimit të ëndrrës fashiste për Shqipëri të Madhe dhe do të shfrytëzohen si argument dhe frikë kundër çdo patrioti me mendje të lirë maqedonas, veçanërisht organizatave politike me karakter anti-imperialist. Pikërisht në këtë takim me Zaevin, Kurti tha se Kosova nuk do t’i ekstradojë kriminelët e rastit “Monstra”, që është edhe një akt të sabotimit të rendit juridik të Maqedonisë. “Levica” është kundër marrëveshjes së këtillë dhe angazhohet ta shfuqizojë edhe njohjen e Kosovës sapo ta marrë pushtetin. Nuk guxojmë të lejojmë që Maqedonia të shndërrohet Palestinë e Ballkanit”.
Jo vetëm kaq, por Apasiev kishte reaguar edhe për ngjarjet në gushtin e vitit 2022 në veriun e Kosovës, pasi serbët kishin bllokuar rrugët në drejtim të dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, meqë Qeveria e Kosovës kishte vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimin e dokumeteve për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.
Apasiev në rrjetin social facebook kishte reaguar duke shpërndare të pavërteta dhe duke paraqitur popullin serb si “të shtypur”: “Mbështetje për serbët e shtypur në Kosovë dhe Metohi”.
DEL FOTO E KANDIDATIT TË MBËSHTETUR NGA KURTI PËR PRESIDENT, ARBEN TARAVARIT ME DIMITAR APASIEVIN
Një fotografi e publikuar nga mediat ka nxjerrë hapur bashkëpunimin e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e cila mbështetët nga kryeministri, Albin Kurti, me liderin e partisë “Levica”, Dimitar Apasievin, kundërshtarin e madh të pavarësisë së Kosovës dhe të zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Ndryshe Dimitar Apasiev në RMV njihet si përkrahës i politikës ruse dhe kundërshtues i politikave të vendit për anëtarësim në NATO dhe BE, ku këtë të fundit e dëshmoi edhe me kundërshtimin e propozimit francez që hapte rrugën RMV për negociatat me BE. / Demokracia.com /