Krasniqi i bindur se Hamza do të jetë kryeministër: Me Hamzën qytetarët do të befasohen me ngritjen e pagave

- in Lajme

Kryetari i PDK-së, Mmeli Krasniqi, është shprehur i bindur se Bedri Hamza do të jetë kryeministri i ardhme i Kosovës.

Ai ka thënë se me të kryeministër qytetarët e Kosovës do të befasohen vetëm për të mirë.

Në emisionin “Click” në RTV21, ai ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për një qeveri që kryen punë.

“Unë jam absolutisht i bindur që kryeministër i ardhshme do të jetë Bedri Hamza. Këtë e kam bindje”, është shprehur ai.

Duke e kritikuar Qeverinë Kurti për befasitë jo të mira që ua ka bërë kosovarëve, ai ka thënë se me Hamzën kryeministër befasi do të jetë rritja e pagave.

“Me PDK-në dhe me Bedri Hamzën si kryeministër befasinë më të madhe që mundem me e pasë qytetarët është se kur të ngritën në mëngjes kontot e tyre me pa që iu kanë rritu pagat. Kjo është befasi më e madhe që ne mund të ua bëjmë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas të parit të PDK-së, Kosovës i dihet një qeveri normale.

“Një projekt qeverisës, i cili atë që e thotë edhe e realizon, një qeveri që kryen punë. Sot këtij vendi i duhet një qeveri që përtej fjalëve kryen punë. Në me fjalë nuk mund të konkurrojmë me Albin Kurtin”, ka thënë ai.

Kryetari i PDK-së në këtë intervistë ka folur edhe për procesin e dialogut.

Ai e ka kritikuar Qeverinë Kurti për degradimin e këtij procesi.

Sipas tij, draft-statuti i Asociacionit është shumë i rrezikshëm.

“Mendoj se është një draft i keq, i cili rrezikon absolutisht jo në ditën e themelimit të asociacionit, por 6 muaj ose 5 vjet pas me pasë një entitet i cili përveç e një autonomie politike e rrezikon edhe funksionimin shtetit të Kosovës dhe është fatkeqësi pse ka ardhur deri këtu , sepse ky është një tekst i cili e ka prodhuar Albin Kurti me mosveprimin e tij”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka bërë me dije se në bashkëpunim me SHBA-të do të hartonte një draft tjetër.

“Kurgjo pa amerikanë nuk ndodh, unë të nesërme e kisha fillu këtë proces me mirësjellje me kërkesë për ndihmë ekspertëve të SHBA-së…s’është e vonshme, nuk është bre shkencë ajo këta veç s’kanë deshtë, s’kanë ditë ose s’kanë guxu për një javë kryhet ajo punë”, ka thënë Krasniqi.

Ai është shprehur i bindur se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së PDK-së do ta ristartonte procesin e dialogut.

“Ju siguroj që PDK në momentin që do vijë në Qeveri në 100 ditët e para ne do ta resetojmë dialogun , që nënkupton më së pari do të ketë një komision të ri, do të ketë ndërmjetës të ri si dhe do të ketë ndryshim çasje të dialgut”, ka deklaruar Krasniqi./Demokracia