Ndërmarrja ‘’Trepça’’ tash e një kohë është duke u përballlur me probleme të mëdha. Punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë mbetur pa paga derisa ndërmarrja nuk ka punuar. Megjithatë, po shihet një dritë në fund të tunelit, pasi një takim i sotëm i kreut të sindikatës së punëtorëve të Trepçës me menaxhmentin e kësaj ndërmarrje ka sjellë fryte dhe mirëkuptim.
Sindikata dhe menaxhmenti i Trepçës kanë gjetur ujdi për zgjidhjen e problemit me paga që ka kjo ndërmarrje dhe punëtorët e saj.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi, ka thënë për FrontOnline se ka pasur sot një takim me menaxhmentin e Trepçës e ku ka thënë se kanë arritur një pajtueshmëri për ta kaluar situatën në të cilën gjendet aktualisht kjo ndërmarrje dhe punëtorët e saj.
‘’Pagesa është hedhur në realizim qysh ditën e hënë të javës së kaluar, por është merr me vonesë rreth orës 15:30 dhe nuk është arritur të shpërndahet kalimi i mjeteve tek të gjithë minatorët përveç atyre që kanë qenë klientë në Bankën NLB, kjo shumë ka qenë 40%, kalimi i atyre mjeteve ka ndodhë sot’’ thotë ai.
Januzi thotë se kanë rënë dakord që deri javën e ardhshme të kryhen gjitha pagesat për punëtorët e kësaj ndërmarrje dhe nëse nuk mbarojnë pagesat atëherë do të ketë greva dhe protesta nga minatorët.
‘’Kemi arritur po ashtu pajtueshmëri që edhe një 30% del sot eventualisht nesër dhe i kemi jep hapësirë menaxhmentit që deri në javën e ardhshme me gjetur zgjedhje financiare, nëse nuk kryhen obligimet atëherë përgjegjësinë e merr menaxhmenti dhe minatorët do të nisin me grevë ose me protesta edhe me kërkuar realizimin e pagës së tyre’’, shton ai.
Januzi për FrontOnline thotë se kjo ndërmarrje ka nisur me punën e saj dhe presin deri në javën tjetër të zgjidhet gjithçka rreth pagave.
‘’Trepça nga data 3 e muajit mars ka filluar me punuar dhe arritëm pajtueshmëri që deri javën tjetër të presim dhe ata dhanë arsyet e tyre për mos realizimin e pagesës. Mundësitë e dialogut i kemi shtjerrë. Ishte një takim i frytshëm mirëkuptues’’, tha ai.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala në një prononcim për thotë për shkak të gjendjes së rënduar, Ndërmarrja ‘’Trepça’’ është në prag të falimentimit dhe për këtë fajtore është Qeveria e Kosovës e cila ka vendosur kuadro jo-profesional në nivelet menaxhuese të kësaj ndërmarrje.
”Ne kemi ngritur shqetësimin tonë që Ndërmarrja Trepça është në gjendje të rëndë ekonomike, faktikisht është para falimentimit, si rezultat i ndërprerjes së prodhimit dhe të situatave të skajshme keq-menaxhuese, sepse Qeveria viteve të fundit ka vendosur kuadro jo-profesionale në nivelet më të larta menaxhuese të ndërmarrjes’,’ thekson Shala.
Për të shqetësim është mospuna dhe problemet me pagesa që po hasin punëtorët e ndërmarrjes.
‘’Shqetësimi është prej asaj që faktikisht ka muaj që nuk po punohet, nuk ka prodhim edhe pak rezerva e koncentrateve që kanë qenë e janë shitur. Sipas informacioneve që kam unë përmbaruesit privat, i kanë marr transaksionet në llogarit e Trepçës dhe tash nuk arrihet që të shpërndahen pagat për çdo muaj’’ shprehet ai.
Po ashtu, kryetari i Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti deklaron se Qeveria është në heshtje totale derisa kanë kërkuar sqarime për këtë por nuk kanë marr përgjigje.
‘’Qeveria është në heshtje totale, është jashtë kontrollit. E kemi të pamundur sepse MZHE-ja, ka manipuluar me shifra dhe fakte sepse vitin e fundit kemi pasur dy kumtese ku kanë manipuluar me te dhënat, kemi pasur edhe pyetje parlamentare për ta por nuk kanë dhënë përgjigje” deklaron Ferat Shala.
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për FrontOnline thotë se Ndërmarrja Trepçës duhet të ketë konsideratë të veçantë nga Qeveria e Kosovës, pasi që sipas tij kjo ndërmarrje ka qenë sinonim i qëndrueshmërisë dhe rezistencës.
‘’Punëtorët e Trepçës dhe Trepça në përgjithësi ka qenë sinonim i qëndrueshmërisë dhe i rezistencës në kohë, si në kohen para luftës, gjatë dhe pas luftës. Konsideroj që çështja e Trepçës duhet parë konsiderate të veçantë nga Qeveria dhe sindikatat. Tash 5 vite kur është votuar Statuti i Trepçës të them të drejtën nuk është që është bërë shumë’’, thotë ai.
Agusholli më tej shton se punëtorët e Trepçës kanë refuzuar të punojnë herë pas here për shkak të pagave dhe se duhet realizuar kërkesat e tyre sa më shpejtë.
‘’Trepça nuk ka prodhim, sepse punëtorët herë pas herë kanë refuzuar të punojnë për shkak të pagave dhe sigurimit të tyre shëndetësor, e që unë mendoj që kërkesat e tyre duhet të realizohen shpejtë. Me sa kam informacion, nga 1200 punëtorë që janë gjithsej një pjesë e tyre janë paguar, ndërsa një pjesë tjetër paga i është realizuar vetëm 30%. Është e papranueshme. Nëse dëshirojmë që Trepça të funksionoj, duhet të gjitha palët ta bëjnë punën e vetë’’, thekson ai.
Deputeti i VV-së, mendon se menaxhimi i dobët dhe mungesa e investimeve të reja janë faktorët që kanë sjellë këtë situatë.
‘’Kush e ka fajin? Unë mendoj që menaxhimi i dobët, mungesa e investimeve te reja, situata me borxhet mund të jenë faktorët kyç, shpesh herë punëtori i thjeshtë kanë ra pre e politikave sindikale, herë të drejta e herë të padrejta. E në fakt të vetmit që janë dëmtuar e dëmtohen janë ata’’, u shpreh Agusholli.
Deputetja dhe anëtarja e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku shprehet se fajtore për gjendjen e krijuar në Ndërmarrjen Trepça është Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik si dhe ndërhyrjet politike në Bordin e ndërmarrjes.
‘’Fajtori i vetëm është Qeveria e Kosovës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ndërhyrjet politike në Bordin e Ndërmarrjes. Ju kujtoj dhe citoj atë që kishte thënë Ministrja Artane Rizvanolli para pak kohësh: “Së bashku me Kryesuesen e Bordit, Rrezarta Pllana, Kryeshefin Ekzekutiv, Bashkim Kurti dhe drejtorin e Njësisë, Shyqri Sadiku, i siguruam ata që investimet e planifikuara në Trepçë, pajisjet e mjetet e punës, të sigurisë e mbrojtjes për minatorët do të jenë prioritet. Përkundër sfidave’’, deklaroi Bunjaku për Front Online.
Ajo për FrontOnline thotë se punëtorët e Trepçës duhet të shkojnë në IPK për të bërë ankesë e më pas të padisin edhe Qeverinë e Kosovës për trajtimin që iu ka bërë.
‘’Trepça ka nevojë që të unifikuar të punojmë të gjithë së bashku për të mirën e ndërmarrjes për ta sjellë Trepçën aty ku e meriton, si bosht i zhvillimit ekonomik e shoqëror të Mitrovicës dhe tërë atij rajoni. Punëtorët e Trepçës duhen të paraqiten në Inspektoratin e Punës për ankesë, duhen paditur Qeverinë e Kosovës, e të kompensohen për trajtimin e padinjitetshëm që po u bëhen minatorëve’’
Më tej deputetja Bunjaku thotë se kanë rënë përformancat e ndërmarrjeve publike me ardhjen e VV-së .
‘’Performanca e çdo ndërmarrjeje publike ka rënë dukshëm, pasi ka ndërhyrje politike, kurdisje të bordeve me militantë partiakë nga radhët e Vetëvendosjes, me mungesë të kuadrove të dëshmuara në zhvillim ekonomik krejt ky pushtet’’.
Ajo thotë se VV sa ishte në opozitë pa ndalë e përmendën Trepçën ndërsa sot po bëjnë vetëm regres.
‘’Prandaj e kemi gjendjen e mjerueshme, mosmbajtje të premtimeve për kushte më të mira për punëtorët e Trepçës. Nuk janë në gjendje t’i japin as pagat, e lëre më t’i rrisin pagat e të investojnë në infrastrukturë të vjetruar. Në opozitë e kanë zënë në gojë më së shumti Trepçën. Kur erdhën në pushtet, jo që nuk sollën asnjë ndryshim, por sollën vetëm regres’’, thotë Bunjaku.
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Pal Lekaj, për FrontOnline thotë se e gjithë situata në Trepçë po ndodhë për shkak të mungesës së përkrahjes nga Qeveria Kurti.
“Gjendja e sektorit të Trepçës tani e sa kohë nuk është e qëndrueshme për shkak të mungesës së përkrahjes nga Qeveria Kurti Sektori i energjisë, gjendja dhe problemet e Trepçës, e shtrenjtimi i energjisë janë tema që kjo Qeveri i ka lënë anash tani e 4 vite’’, deklaron ai.
Lekaj thotë se i kanë kërkuar në vazhdimësi Ministrisë së Ekonomisë dhe kryeministrit Kurti që të përmirësoj gjendjen e minatorëve, por ishte e kotë
‘’Ne si deputet dhe opozitë i kemi kërkuar në vazhdimësi edhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Kryeministrit, që të përmirësojë kushtet e Minatorëve, veshmbathjet e tyre, pagat dhe makineritë e punës, por ka qenë e kotë sepse Minatorët dhe Trepça nuk po shiten për konsum publik e votë të qytetarëve. Kjo Qeveri jep maksimumin për tema te lehta që marrin votë si psh, lëmoshat të herë pas hershme ndaj qytetarëve’’ thekson ai.
Lekaj thotë se punëtorët dhe familjet e të punësuarve në Trepçë janë në gjendje të rëndë.
‘’Trepça, punëtorët e saj dhe familjet e tyre janë në gjendje të rëndë. Kosova rrezikon të humbë shumë nga kjo qasje dhe politikë e VV-së e cila nuk bën asgjë po nuk pati interes politikë e votë të qytetarëve’’ tha ai./ Demokracia