Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se qëndrimi i partisë së tij për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje është dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti.
“Ky vit do të jetë zgjedhor. Se sa muaj do të shkurtohet mandati do të varet nga mënyra që shkaktohen këto zgjedhje. LDK-ja beson që akti i dorëheqjes se kryeministrit Kurti është mënyra më e duhur për t’iu hapur udhë zgjedhjeve parlamentare 2024”, ka thënë Haziri.
Ai thotë se Qeveria Kurti s’ka krijuar konsensus për asnjë gjë, prandaj, sipas Hazirit, as tash s’është e besueshme që do të ketë dialog për shpërbërjen e Kuvendit.
“VV-ja po ka interesa për një mandat kalendari politik e jo suksesi që determinon ketë mandat. Kurthe politike që me shpërbërjen e Kuvendit të ndërtojë konsensusin për zgjedhje është vetëm arsyetimi që Kosovën ta mbajë të ndarë politikisht në pozicione bardhë e zi. Për asgjë këto tre vite nuk ka ndërtuar konsensus, përkundrazi nuk ka dialog politik me opozitën, nuk ka dialog social me sindikata, nuk ka dialog as me shoqëri civile. Pra, kush beson që do të ketë dialog për shpërbërjen e Kuvendit? Askush nuk i beson kësaj sikurse askush nga fqinjët, BE, NATO, SHBA edhe vetë raportuesja e KE tash i kërkon zotime me shkrim. Qeveri që nuk besohet sepse prodhon vendime dhe lajme qe sjellin mosbesim”, ka thënë Haziri në një prononcim për Gazetën Blic./Demokracia