106 milionë e 810 mijë euro është granti i radhës që Bashkimi Evropian ia ka ndarë Dhomave të Specializuara për dy vitet e ardhshme. Vendimi është marrë në qershorin e vitit 2023, dhe buxheti do të vlejë deri në qershor 2025. Nacionale sjell detaje.
Dhomat e Specializuara të Hagës kishin buxhet të përcaktuar nga Bashkimi Evropian deri në qershorin e vitit 2023. Kjo bëri që Bashkimi Evropian pak para se të skadonte subvencionimi, të ndante milionat e radhës për Gjykatën e Kosovës, me seli në Hagë.
Në vendimin të cilin Nacionale e ka parë që është publikuar në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, bëhet e ditur se për dy vitet e ardhshme, BE-ja ia ka ndarë Speciales 106 milionë e 810 mijë euro.
Këto 106 milionë do të vlejnë për periudhën kohore prej qershorit 2023, deri në qershor 2025. Kjo shumë është ndarë vetëm për shpenzimet e Gjykatës Speciale, kurse për shpenzimet e EULEX-it në Kosovë janë ndarë 58 milionë e 500 mijë euro.
“Shuma e referencës financiare e destinuar për të mbuluar shpenzimet e EULEX-it në Kosovë nga 15 qershori 2023 deri më 14 qershor 2025 do të jetë 165 milionë e 310 mijë euro. Nga kjo shumë, shuma e destinuar për mbulimin e shpenzimeve të EULE-it në Kosovë për zbatimin e mandatit të tij në Kosovë do të jetë 58 milionë e 500 mijë euro dhe shuma e destinuar për të mbuluar mbështetjen për procedurat gjyqësore të zhvendosura brenda një shteti anëtar do të jetë 106 milionë e 810 mijë euro. Komisioni do të nënshkruajë një marrëveshje granti me një regjistrues (Regjistruesi i Dhomave të Specializuara) që vepron në emër të një regjistri përgjegjës për administrimi i procedimeve gjyqësore të zhvendosura për shumën 106 milionë e 810 mijë euro”, thuhet në njoftimin që u publikua në gazetën zyrtare të Speciales.
Se subvencionimet realizohen nëpërmjet Komisionit Evropian dhe Administratores, u theksua edhe në raportin e punës të Gjykatës Speciale për vitin 2022. Aty u bë e ditur se fondet e Speciales janë në fuqi deri në qershor 2023. Për periudhën qershor 2021-qershor 2023, BE-ja kishte ndarë mbi 103 milionë euro për Specialen.
“Gjatë vitit 2022, Dhoma e Specializuar administroi fondet e akorduara nga BE-ja në përputhje me Marrëveshjen e Pestë për Subvencionim, që u nënshkrua nga Administratorja në emër të DHSK-së dhe ZPS-së dhe nga Komisioni Evropian (Marrëveshja e Subvencionimit), për periudhën dyvjeçare 15 qershor 2021 – 14 qershor 2023 në shumën prej 103.279.698 euro”, thuhet në raportin e punës së Speciales, raporton Nacionale.
Gati 400 milionë euro për 9 vjet
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vetëm për 9 vjet nga Bashkimi Evropian kanë pasur rreth 400 milionë euro fonde që janë ndarë.
Nacionale kohë më parë kishte publikuar një artikull që tregonte se Specialja për 7 vjet nga BE-ja kishte përfituar 275 milionë euro. Nëse i shtohet edhe granti i fundit mbi 106 milionësh, atëherë shuma totale e kalon 380 milionëshin.
Kjo është vetëm një nga mënyrat e financimit të Speciales, të cilat gjithashtu përfitojnë edhe nga shtetet e treta kontribuese si Norvegjia, Zvicra, Amerika e shtete të tjera.
2016 – 2017: Shtetet anëtare të BE-së e kanë përkrahur Gjykatën Speciale me buxhet prej 29 milionë e 100 mijë euro.
2017 – 2018: Shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar buxhet për Specialen në vlerë 41 milionë e 314 mijë euro.
2018 – 2020: Për këto dy vjet, Bashkimi Evropian ka ndarë buxhet për Dhomat e Specializuara në vlerë 86 milionë e 250 mijë euro.
2021 – 2023: Për këto dy vite BE-ja ka ndarë 110 milionë e 279 mijë euro.
2023 – 2025: Nga qershori 2023 deri në qershor 2025 mbi 106 milionë euro.
Pagesat e avokatëve
Kjo sasi fondesh për Specialen, është e ndryshme me mënyrën e financimit të avokatëve për personat e akuzuar në Hagë.
Përveç fondeve vetanake, avokatët kompensohen edhe me një fond nga Ministria e Drejtësisë.
Me ndryshimin e udhëzimit administrativ, për një të akuzuar për krime lufte në fazën e gjykimit, MD-ja mund të kompensojë deri në 110 mijë euro në muaj. Nëse marrim shembull katërshen e krerëve të UÇK-së, Salih Mustafën e Pjetër Shalën, atëherë për të gjashtë brenda vitit Kosova ka ndarë gati 8 milionë euro.