“Ndoshta nuk është shumë” | Rreth 10 mijë euro do të shpenzojë për 15 ditë ministria e Rozeta Hajdarit për një trajner, pagesa ditore e tij sa paga mujore e një inspektori

- in Lajme

“Ndoshta nuk është shumë, por ndoshta edhe është shumë”. Do të mund të thoshte kryeministri Albin Kurti po t’i bëhej pyetja se a është shumë të paguani 10 mijë euro për një trajner, që të trajnojë për 15 ditë disa zyrtarë të Rozeta Hajdrit brenda ministrisë. Fiks 660 euro ditën për angazhimin e një trajneri ka paraparë ta shpenzojë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, shkruan Demokracia.com.

Për angazhimin 15-ditor të një eksperti/je që do të trajnojë ekipin e inspektorëve përgjegjës për mbikëqyrjen e cilësisë së derivateve të naftës në MINT janë paraparë hiç më pak se 9900 euro.

“Angazhim i ekspertit-es në fushën e derivateve të naftës”. Kështu quhet thirrja pesëmbëdhjetë ditore e ministrisë.

Iniciativa e parë për të gjetur një trajner i ka dështuar MINT-it, pasi nuk ka garuar askush.

Sipas kushteve të vendosura në dosje të tenderit, kërkohet që eksperti të ketë përvojë pune dhe njohuri në zbatimin e standardeve EN ISO 3170, EN ISO 3171, EN ISO14275 dhe EN ISO 4257 për marrjen e mostrave të derivateve të naftës.

Kërkohen të paktën 5 vjet përvojë pune përkatëse me institucionet publike ose private në fushën e cilësisë së derivateve të naftës, aftësia për të siguruar raporte të shkruara të strukturuara mirë.

Kërkohet diplomë universiteti në fushën e shkencave natyrore që lidhet me cilësinë e derivateve të naftës.

Meqenëse MINT është në fazën finale të ndryshimit të U.A. për cilësinë e derivateve të naftës, një ndër procedurat që do të pësojnë ndryshime është edhe marrja e mostrave të derivateve të naftës dhe testimi  i tyre në laboratorin e akredituar.

Siç ka parë Demokracia.com, MINT ka shkruar në arsyetimin e saj se në mënyrë që inspektorët të kenë kompetencën e nevojshme profesionale për marrjen e mostrave sipas standardeve përkatëse, ata duhet të kenë të përfunduar trajnimet profesionale në këtë fushë.

“Qëllimi i këtij angazhimi është mbajtja e trajnimit profesional mbi tërë procesin e mostrimit, siç parashihet në standardin EN ISO 3170, EN ISO 3171, EN ISO 14275 dhe EN ISO 4257 marrë për bazë edhe tërë infrastrukturën ligjore për tregtimin me derivate të naftës. Trajnimi i inspektorëve do të jetë i ndërlidhur me procedurën e akreditimit që do të kryhet në fund të procesit të trajnimit. Pasi inspektorët të kenë marrë njohuritë e mjaftueshme mbi procesin e mostrimit dhe të konstatohet se ata janë të gatshëm të kryejnë vetë procedurën e marrjes së mostrave, ata do të validohen nga Drejtoria e Akreditimit si persona kompetentë për të zbatuar standardin EN ISO 3170, EN ISO 3171, EN ISO 14275, EN ISO 4257 si dhe certifikim të trajnimit për inspektoret për standardet e lartcekura. Kohëzgjatja e detyrës për mbajtjen e trajnimit është 15 ditë pune”, thuhet në dosjen e tenderit, përcjell Demokracia.com.

Deri sa një ditë e trajnerit do të jetë 660 euro, paga mujore e një inspektori të MINT-it sillet në rreth 700 euro. /Demokracia.com/