Deficiti tregtar shënon rritje në muajin janar, arrin në 289 milionë euro

- in Lajme

Kosova këtë vit nuk e ka nisur mirë sa i përket shkëmbimeve tregtare.

Eksportet kosovare kanë shënuar rënie për 9.4 për qind në muajin janar, përderisa importet kanë shënuar rritje prej 7,2 për qind, çka ka ndikuar në thellimin e deficitit tregtar.

“Bilanci tregtar në mallra në janar 2024 shënoi deficit në vlerë 289.2 milionë euro, që është për 9.4% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë shënoi vlerën 60.9 milionë euro, duke paraqitur rënie prej 2.3% krahasuar me janar 2023 (62.3 milionë euro ishte në janar 2023). Ndërsa, importi i mallrave arriti vlerën 350.1 milionë euro duke paraqitur rritje prej 7.2% krahasuar me janar 2023 (326.7 milionë ishte euro në janar 2023)”, thuhet në raportin e BQK-së lidhur statistikat e bilancit të pagesave për janar 2024, transmeton GAZETA10.

Kurse, bilanci i pagesave në janar 2024 u karakterizua me suficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 12.4 milionë euro, i cili tregon një rënie prej 1.4% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (12.6 milionë euro ishte suficiti në janar 2023).

Ndërkaq, sa i përket të ardhurat dytësore, ato mbeten kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse.

“ Në janar 2024 kjo llogari shënoi bilanc pozitiv prej 136.8 milionë euro, e cila paraqet rritje prej 4.1% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar (131.4 milionë euro ishte vlera në janar 2023)”./Demokracia