Albin Kurti, njeriu që ndërtoi imazhin e rrejshëm se nuk bënë kompromise u jep një lajm të hidhur mbështetësve: Kam bërë shumë kompromise

- in Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka bërë shumë kompromise në negocimet me ndërkombëtarët dhe Serbinë, përmes dialogut të Brukselit dhe detyrimeve që dalin nga marrëveshjet e arritura atje, derisa ka folur në podkastin “The Rest Is Politics” që udhëhiqet nga gazetari britanik, Alastair Campbell dhe ish-ministri britanik, Rory Stewart.

Ishte Stewart që fillimisht hapi këtë temë, duke e përshkruar Kurtin si një politikan që ka fituar reputacionin e një aktori politik me të

cilin bashkësisë ndërkombëtare i del problem, meqë ai është kokëfortë dhe nuk bën kompromise, por Kurti e mohoi konstatimin, duke thënë se nëse shikohet mirë rrugëtimi i tij atëherë vërehet se ai jo që ka bërë kompromise, por ka bërë shumë madje.

Stewart e pyeti Kurtin se cili është qëllimi dhe benefiti i stilit të të bërit politikë të jashtme dhe në përgjithësi politikë “konfrontuese”.

“A është kjo qasje e jotja, kjo qaje konfrontuese, a është pjesë e personaliteti tënd, apo është teknikë politike. A besoni se mund të arrini më shumë për qytetarët tuaj duke mos bërë kompromise?”, i tha Stewart Kurtit.

Deisa më pas kryeministri i Kosovë u përgjigj se “unë kam bërë kompromise”.

“Kam bërë kompromise, por janë harruar dhe janë vënë në hije nga insistenca dhe konsistenca ime. Nëse shihni nëpër çfarë kam kaluar, do të shihni se kam bërë shumë kompromise”, pohoi ai.

Në fakt kjo që thotë Kurti është e vërtetë, paçka se partia që ai udhëheqë Lëvizja Vetëvendosje dhe qeveria, provojnë vazhdimisht ta mirëmbajnë në publikun vendor një imazh të politikanit të pa kompromis për Kurtin.

Por, nëse shikohen zhvillimet nga ardhja e Kurtit në pushtet, atëherë janë shumë momente ku Kurti u është bindur kërkesave të perëndimorëve.

Një nga të parat dhe më të rëndësishmet, ishte pajtimi i tij që barrikaduesit me maska në Veri, që kishin bllokuar për shumë gjatë rrugët në atë pjesë të Kosovës të mos përndiqen për veprat e tyre, por të konsiderohen protestues paqësorë dhe barrikadat që bllokuan rrugën të konsideroheshin mjete paqësore të protestimit.

Kurti gjithashtu ishte pajtuar që të mos e zbatojë vendimin e marrë nga vetë ai paraprakisht, për të gjobitur veturat që mbanin targa ilegale “KM” të prodhuara në Serbi.

 

 

Ai kishte heqë dorë nga ky vendim vetëm pak orë para se të futej në fuqi, derisa në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, kishte sqaruar se vendosi kështu pasi ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ia kishte dhënë disa informacione që ky nuk i dinte paraprakisht.

Kurti më pas kishte bërë kompromis dhe pranuar Marrëveshjen Bazike në Bruksel me 27 shkurt, duke hequr dorë nga njohja reciproke me Serbinë.

Ai gjithashtu kishte bërë kompromis duke pranuar që serbët e Kosovës të themelojnë një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti bëri kompromis po ashtu në Aneksin e Ohrit ku pranoi që dialogu me Serbinë të bëhet pjesë integrale e rrugës së Kosovës drejt BE-së.

Kurti vazhdoi me kompromise duke pranuar që kompania shtetërore serbe të faturokë qytetarët e Kosovës në Veri për energji elektrike.

Më vonë, përsëri u bë kompromis me paktin e Bratislavës ku qeveria e Kosovës pranoi ta reduktojë numrin e forcave policore në Veri dhe rreth ndërtesave komunale pas zgjedhjeve në të cilat serbët nuk morën pjesë.

Kompromisi i radhës ishte pranimi që Marrëveshja për të Zhdukurit me Dhunë të mos thirrej në terminologji të kodifikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, por të përdoren frazime alternative.

Ai bëri kompromis së fundi edhe me kërkesën që të regjistrohet si tokë e Manastirit të Deçanit hapësira prej 20 hektarësh rreth mureve të objektit, vendim që e kishte refuzuar kategorikisht.

Kurti pranoi po ashtu kërkesën e ndërkombëtarëve për të shtyrë për tre muaj veprimet ndëshkuese për ata që nuk e respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb, rregullore që ndalon shit-blerjen me këtë valutë në republikën e Kosovës.

Më pas prapë bëri kompromis duke pranuar që kjo rregullore e një institucioni të pavarur të diskutohet në Bruksel me Serbinë.

Në përgjithësi Kurti ka pranuar në vazhdimësi kërkesat nga ndërkombëtarët, por këtë e bën pasi paraprakisht jep një kundërshtim fillestar, çka krijon më pas edhe tensione me bashkësinë ndërkombëtare.

Tensione këto që kanë çuar deri te vendosja e sanksioneve të ndryshme nga Bashkimi Evropian dhe masa të tjera shtrënguese nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./AlbanianPost/