DOKUMENTE | Telekomi i bie pak pishman për reklamimin, i rikthehet marketingut në TV e Radio dhe përjashton mediat online

- in Lajme

Eksponentë të partisë në pushtet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, prej kohës që kanë marrë drejtimin e Qeverisë vazhdimisht kanë hedhur akuza në drejtim të mediave, me pretendimin se kanë marrë mijëra euro në formë të marketingut nga Telekomi i Kosovës. Kjo ndërmarrje viteve të fundit ka ndalur krejt marketingun në media. Por, tash i ka rënë pishman dhe do të rikthehet në disa mediume të caktuara, shkruan Demokracia.com.

Telekomi i Kosovës e ka parë se pa publicitet nuk po mund të arrijë mjaftueshëm tek masa e gjerë e popullatës.

Fillimisht, kjo ndërmarrje publike ka menduar të përgatisë reklamat e pastaj të zgjedh edhe mediumet se ku do t’i lansojë. Ajo që shihet është se marketingu nuk do të bëhet në mediat online, por vetëm në disa televizione dhe radio.

Për “Krijimi realizimi i reklamave për TV dhe Radio”, është rekomanduar për kontratë kompania Q.M. “Tema” në një vlerë prej 71,300.00.

Kjo kompani do të bëjë 6 tipe të ndryshme të reklamave.

Në garë për këtë tender kanë qenë 8 kompani.

Në garë ka qenë edhe kompania “Manag&Development Assiciates LLC”, e cila është në pronësi të vëllait të shefit të kabinetit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipit. Por, ajo është eliminuar për shkak se ka pasur çmim më të shtrenjtë sesa kompania e rekomanduar për kontratën. Mbetet të shihet nëse kontrata do të nënshkruhet më “Tema”, pasi kompanitë kanë të drejtë ankese pesë ditë.

Pasi të kryhet i gjithë procesi i realizmit të videove, ndërmarrja do të përzgjedh disa televizione dhe radio për të reklamuar produktet e saj. Nuk ka një buxhet të bërë publik se sa do të kushtojë kjo./Demokracia.com/