Teksa opozita kërkoi që Prokuroria të merret me hetimin e tenderëve njëburimorë, deputetët e pushtetit kanë thënë se themelimi i komisionit është i panevojshëm duke mohuar akuzat se në këtë qeveri janë lidhur më shumë kontrata njëburimore se në qeveritë paraprake. Megjithëse, Qeveria e Kosovës është e përfaqësuar nga 15 ministri, vetëm njëri prej tyre ka reaguar në kritikat e partive opozitare
Në skenën politike të Kosovës, debati për fenomenin e tenderëve njëburimorë po merr një rol kyç.
Opozita po ngulmon për themelimin e një komisioni hetimor për të zbardhur saktësinë dhe legjitimitetin e këtyre tenderëve, duke akuzuar qeverinë aktuale për mungesë transparence dhe përgjegjësi në këtë çështje.
Teksa opozita kërkoi që Prokuroria të merret me hetimin e tyre, deputetët e pushtetit kanë thënë se themelimi i komisionit është i panevojshëm duke mohuar akuzat se në këtë qeveri janë lidhur më shumë kontrata njëburimore se në qeveritë paraprake.
Megjithëse Qeveria e Kosovës është e përfaqësuar nga 15 ministri, vetëm njëri prej tyre ka reaguar ndaj kritikave të partive opozitare.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është përplasur me deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, teksa ka pretenduar se dikasteri i udhëhequr prej tij nuk ka nënshkruar kontrata njëburimore, por aneks-kontrata për punë shtesë.
“Prapë në këtë seancë po më duket se nuk jam shumë subjekt i seancës. Nëse do t’i krahasonim përqindjet, Ministria jonë qoftë për nga vlera po del Ministria me performancën më të mirë. Nëse e krahasojmë me komunat, shumëfish më mirë. Ju i përmendët 56 kontrata njëburimore. Një kontratë njëburimore është, 56 janë aneks-kontrata për të njëjtën që shefi i GP të PDK-së e ngriti çështjen. Qysh është e mundur sa është saktë vlera e parashikuar me dalë edhe në kontrata. Pra, kemi të bëjmë me punë shtesë dhe ankes-kontrata është kontratë për punë shtesë. Unë s’e kam problem hetimin. Në çështjen e ndërtimit nuk ka mundësi të mos ketë punë shtesë”, ka thënë Aliu.
Por, për deputeten e LDK-së është e rëndësishme se të njëjtit janë të negociuar.
“Ministër nuk e di sa je subjekt ose jo sepse kjo varet krejt qysh e ndjeni veten. Unë e di që përgjegjësinë e nënshkrimit të kontratave e keni nda me zëvendësin tuaj. Ajo që thuhet në listën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik është që përpos aneks-kontratave, ju keni nënshkruar kontrata për shembull me kompaninë ‘Bageri’ që zëvendësministri juaj ka punuar aty. Ministër, janë kontratat e negociuara nëse nuk janë njëburimore. Ka mundësi që nuk e keni thirrë një operator ekonomik me negociu, por i keni thirrë dy ose tre. Nuk keni bërë shpallje të tenderit që nënkupton në mesin e qindra operatorëve i ke zgjedhë dy me negociu. I ke zgjedhur kompanitë që i njeh”, ka theksuar Bajrami.
E në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se deputetët duhet të vijnë me një raport përfundimtar për kontratat burimore.
Ai ka kritikuar mungesën e ministrave në seancë, të cilët, sipas tij, kanë qenë nënshkruesit më të mëdhenj të kontratave.
“Ajo që është e rëndësishme është që ne si deputetë duhet te vijmë në një përfundim me një raport përfundimtar që ta kanalizojmë këtë çështje drejt Prokurorisë. Është e rëndësishme që sot ky komision hetimor të themelohet dhe të bëjë punën e vet me hetim parlamentar”, ka thënë Tahiri.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria po i frikësohet hetimit të tenderëve njëburimorë, duke shtuar se qeveri aktuale e ka kthyer në trend tenderin njëburimor.
“Themelimi i Komisionit për tenderët njëburimorë është më e pakta që ky kuvend mund të bëjë. Ka një frikë serioze të kësaj qeverie në raport me hetimin e tenderëve njëburimorë që shuma e tyre vjen në 209 milionë euro. Kjo qeveri ka kontraktuar 781 tenderë njëburimorë, të cilët pa asnjë dyshim janë burim i korrupsionit dhe keqpërdorimit. Kontratat njëburimore janë përdorur në sasi të madhe dhe në kundërshtim me ligjin. Kontraktimi njëburimor edhe pse në aspektin ligjor duhet të hyjë, atëherë kur ka emergjencë kjo qeveri e ka kthyer në trend. Dua ta përmbyll me një qëndrim hipokrit të Kurtit. Ai flet për luftën kundër korrupsionit, por ai e ka korruptuar luftën kundër korrupsionit. Ai e sheh të korruptuar vetëm atë që nuk është në lëvizjen e vet. Për herë të parë kryeministri e ka korruptuar luftën kundër korrupsion”, është shprehur Tahiri në Kuvend.
E për shkak të numrit të vogël të votave, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore.
Kjo pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk morën pjesë në votim./Demokracia