“Veç mos shaj najsen”: Mesazhi i Kusari-Lilës për deputetin e VV-së që tregon si kurdiset debati në Kuvend

- in Lajme

Komunikimet ndërmjet deputetëve të grupit parlamentar të Vetëvendosjes vazhdojnë të nxisin shumë reagime.

Në seancën e sotme është zbuluar një bisedë që është bërë ndërmjet shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe deputetit të VV-së, Halil Thaçi.

Në fotografitë që ka siguruar Nacionale, Kusari-Lila i kërkon deputetit Thaçi të marrë fjalën për të diskutuar rreth kontratave njëburimore. Megjithatë, arsyeja është e çuditshme. Për të blerë kohë.

Madje në një pjesë të mesazhit, ajo i lutet deputetit që të mos shajë, por vetëm të bëjë disa pyetje.

“Merre fjalën edhe ti, se po na duhet me ble kohë. Vetëm mos shaj najsen, veq pyetje boni. Dmth, qetë dhe pa tension. Ok?”, i ka shkruar Kusari-Lila deputetit të VV-së.

Krejt ky diskutim duket të jetë bërë pas akuzave nga opozita lidhur me numrin e madh të tenderëve njëburimorë.

E deputeti Halil Thaçi ka deklaruar për Nacionalen se ai nuk ka qenë në skenar për të marrë fjalën, por që ia kërkoi këtë Kusari-Lilës pasi kishte disa replika.

“Mimoza Kusari po e quani deputete, po ajo është kryetare e grupit parlamentar. Vazhdimisht ne konsultohemi me Mimozën. Unë nuk kam qenë në skenar për të marrë fjalën, se kuptohet në grup parlamentar ne bëjmë skenarin e folësve, është normale ajo. Mirëpo unë kisha disa replika me i bë dhe kisha disa kontrata njëburimore që i kanë bërë anëtarët, ish-ministrat e LDK-së e PDK-së, për këtë arsye e kërkova fjalën prej Mimozës, ajo më shkrujti që mundesh me marrë fjalën, por s’e mora përsëri sepse përfundoi”, tha deputeti Thaçi.

I pyetur pse Kusari-Lila i ka thënë të mos shajë, Thaçi deklaroi se është habitur pse e ka thënë atë fjalë pasi shefja e deputetëve të VV-së është e kujdesshme.

“Jo, s’ka raste kur thotë Mimoza shaje, s’di pse i kish dalë mos shaj najsen, në atë kuptimin e ofendimeve e ka pas. Unë javën e kalume edhe Nacionale e ka postu, problemin me Hykmete Bajrami qysh erdh te ulësja ime, absolut, sidomos Mimoza është shumë e kujdesshme në këto gjëra, se di pse kah ka i ka dalë qajo mos shaj. S’ka ndodh me sha asnjëherë”, tha Thaçi.

 

/Demokracia