Me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim u bë hapi i rradhës drejt dërgimit në Asamblenë Parlamentare të Raportit rekomandues të Dora Bakoyanis për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës; fazë kjo e parafundit para se Komiteti i Ministrative të KiE-së vendos përfundimisht për ose kundër anëtarësimit.
Raporti i Bakoyanis – ndonëse është tejet premtues – ka edhe kërkesat e saj të përpiluara si kushte të cilat Kosova duhet (dhe që është zotuar se do) t’i përmbush e ku më së larti qëndron progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, përkatësisht miratimi i draft-it të Asociacionit me dekret qeveritar që do t’i hapte rrugë dërgimit të saj për rishikim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese.
Zëvendës Ministri i Jashtëm nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti e dha – ose deshi që ta jep – për punë të kryer se nuk ka kushte për hapa drejt themelimit të Asociacionit para anëtarësimit të Kosovës në KiE, por pas-anëtarësimit.
“Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, ka shkruar ai.
Para se të shjellojmë hilen e tij duhet thënë fillimisht se Ahmeti pati thënë që as regjistrimi i pronave (24 hektarëve) të Manastirit të Deçanit s’kishte qenë kusht për anëtarësim në KiE vetëm disa ditë para se të miratohej nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Tash, ku qëndron hilja e madhe?
Hilja është se Ahmeti citon vetëm atë çka i pëlqen nga raporti, përkatësisht pikën 11 – e cila i referohet vetëm asaj çka “Asambljea konsideron…si zotim pas-anëtarësimit” e jo atë çka kërkohet nga Komiteti i Ministrave (çka i rekomandohet nga Bakoyanis) “për t’u anëtarësuar në KiE”, përkatësisht pika 39.
Pika 11 që citon Ahmeti thotë se Asambleja Parlamentare – që s’është organi vendimmarrës final, por Komiteti i Ministrave, praktikisht qeveritë e shteteve anëtare të KiE-së – themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe e sheh si “zotim pas-anëtarësimit”.