Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon edhe të martën dëshminë ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kundërpyetjet për dëshmitarin po vazhdon t’i parashtrojë avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitarit iu prezantua një kabllogram i 4 shkurtit 1999, ku fliste për numrin që mund të ketë pasur në strukturat e UÇK-së.
Sipas informacioneve të Zbulim-Kundërzbulimit serb, dëshmitari pohoi se ata thonin që UÇK-ja kishte rreth 35 mijë trupa e që sipas tij 27 mijë ishin të parregullt.
Byrnes, i cili e filloi dëshminë të hënën, tha se ushtarët e parregullt ishin banorë të zonave që mbronin fshatrat e tyre, por që nuk ishin në uniforma.
“Këta ishin thjesht vendas, banorë të zonave që mbronin fshatrat e tyre ose fshatrat ngjitur, por që nuk ishin në një forcë të organizuar. Pra, nuk ishin në njësi ushtarake, nuk ishin në uniforma. Ishin persona që qëndronin pranë vendbanimit e tyre. Siç e kuptoja unë, forcat lokale ishin nën zingjirin komandues të komandantëve të zonës”, tha dëshmitari.
Byrnes tha se ia mendon që forcat e rregullta ishin në vartësi të Shtabit të Përgjithshëm përkundër atyre të parregulltave, që tha ishin nën zinxhirin komandues të komandanteve të zonave.
“Forcat lokale ishin thjeshtë persona që mbronin tokat e tyre, fshatrat e tyre. Ma merr mendja forcat e rregullta ishin në vartësi të Shtabit të Përgjithshme dhe operacionet ushtarake ishin pjesë e Shtabit të Përgjithshme që ishte gjeneral Çeku, Zyrapi. As ne nuk e kemi pas të qartë këtë pjesë”, tha ai./Demokracia