Abazi: Nuk e votoj mocionin e AAK-së, s’duhet t’i ofrohet mundësia Kurtit për të ndërtuar narrativën e viktimës

- in Lajme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kryetari i saj Haradinaj vazhdimisht gjatë këtij viti kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje.

Ky subjekt politik, gjatë ditës së sotme, ka prezantuar edhe një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.

Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic” edhe deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi.

Abazi ka deklaruar se nuk do t’a japë votën e tij për një mocion të tillë, nëse vjen në Kuvend.

Ai thotë se kjo vjen për faktin se Albin Kurtit nuk duhet t’i jepet mundësia të ndërtojë narrativën e viktimës dhe të bartë fajin tek opozita

“Jo se përkrah për arsyen e qartë! Kurtit nuk duhet ofruar mundësia për të ndërtuar narrativën e viktimes dhe të barte fajin tek opozita për paaftesinë dhe dështimin epokal të mandatit të plotë qeverisës me mbi 50%” tha Abazi,

E sa i përket çështjes së zgjedhjeve ka folur ditë më parë edhe vetë kryeministri i vendit Albin Kurti.

Ai ka deklaruar se është i gatshëm t’i bashkojë votat me opozitën për ta shpërbërë Kuvendin dhe për ta çuar vendin në zgjedhje.

Por, në një konferencë për media të mbajtur dje në 3 vjetorin e qeverisë deklaroi se nuk jep dorëheqje.

Ai tha se mund të koordinohen me opozitën dhe të caktojnë një datë me konsensus që zgjedhjet të mbahen në verë.

“Ne dëshirojmë të vazhdojmë qeverisjen. Ne kuptojmë që janë 12 muajt e fundit, pas 12 muajve, mund të jetë situata e një dimri që nuk e dimë çfarë është për zgjedhjet e radhës. Shkurti 2021, moti s’ka qenë edhe i keq, por s’ka qenë as i mirë. Nëse duam që zgjedhjet ti mbajmë jo në dimër, përshembull, normalisht që ne jemi njerëz të arsyeshëm, mund të caktojmë data bashkë me opozitën, por dorëheqje s’mund të japë” deklaroi dje Kurti./Demokracia